Mbesa e arrestuar e Soleimanit kishte pasur urdhër ndalimi ndaj ish-partnerit, pasi e përndiqte atë vazhdimisht

Hamideh Soleimani Afshar, mbesa e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, e cila së fundmi u arrestua në Los Anxhelos nga ICE (Agjencia Amerikane e Imigracionit dhe Doganave), kishte marrë më herët një urdhër ndalimi afrimi ndaj ish-partnerit të saj, Zarea Mandani, pas akuzave për përndjekje dhe ngacmim. Sipas raportimeve, Soleimani Afshar u ndalua me një ndalim […]

Magazina

Hamideh Soleimani Afshar, mbesa e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, e cila së fundmi u arrestua në Los Anxhelos nga ICE (Agjencia Amerikane e Imigracionit dhe Doganave), kishte marrë më herët një urdhër ndalimi afrimi ndaj ish-partnerit të saj, Zarea Mandani, pas akuzave për përndjekje dhe ngacmim.

Sipas raportimeve, Soleimani Afshar u ndalua me një ndalim afrimi për pesë vjet, pasi dyshohet se gjatë vitit 2024 e kishte shqetësuar Mandanin në shtëpinë e tij dhe në vendin e punës.

Kur u njoftua se ajo ishte arrestuar nga ICE, Mandani reagoi ashpër, duke thënë: “Faleminderit Zotit. Kjo është mirë. Ajo është përndjekëse. Ajo është një grua e çmendur. Faleminderit Zotit që u arrestua dhe që do të deportohet. Ajo nuk është një person normal”.

Ai shtoi se e kishte paditur dy herë, duke thënë se situata i kishte sjellë shumë stres dhe probleme. “Më ka shkaktuar shumë dhimbje koke. I kërkova me mirësjellje të më linte rehat dhe e bllokova, por ajo nuk donte të dëgjonte”, deklaroi ai.

Mandani tregoi gjithashtu se ishin njohur në një festë. Në dokumentet gjyqësore ai e kishte përshkruar atë si “ish të dashurën” e tij, por më pas, për New York Post, pretendoi se marrëdhënia e tyre kishte qenë vetëm miqësi.

Në gjykatë, Mandani deklaroi se ajo e kishte abuzuar emocionalisht, e kishte ngacmuar, e telefononte vazhdimisht, i pengonte lëvizjen, i ndërhynte në punë dhe madje e kishte kërcënuar se do t’i bënte keq vetes.

Ndërkohë, ICE arrestoi Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzën e saj, Sarinasadat Hosseiny, pasi atyre u ishin revokuar “green card”-at (lejet e qëndrimit), për shkak të lidhjeve të pretenduara me Iranin. /Telegrafi/