“Mashtrim apo konfuzion? Deklaratat që nuk përputhen të Driton Rexhepi për kufirin”

Deklaratat e fundit të Kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, kanë ngritur pikëpyetje serioze lidhur me transparencën dhe saktësinë e informimit ndaj qytetarëve për funksionimin e pikave kufitare me Kosovën. Më 3 prill 2026, Rexhepi siguroi publikisht qytetarët se “nuk ka asnjë ndryshim në regjimin e pikave të hyrje-daljeve në Breznicë dhe Dobrosinë”, […]

Vendore

Deklaratat e fundit të Kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, kanë ngritur pikëpyetje serioze lidhur me transparencën dhe saktësinë e informimit ndaj qytetarëve për funksionimin e pikave kufitare me Kosovën.

Më 3 prill 2026, Rexhepi siguroi publikisht qytetarët se “nuk ka asnjë ndryshim në regjimin e pikave të hyrje-daljeve në Breznicë dhe Dobrosinë”, duke theksuar se qarkullimi do të vazhdojë normalisht dhe pa vështirësi. Kjo deklaratë, sipas tij, erdhi pas një komunikimi me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përfshirë institucionet nën drejtimin e Albin Kurti.

Megjithatë, vetëm katër ditë më vonë, më 7 prill 2026, qëndrimi i tij ndryshoi dukshëm. Në një deklarim të ri publik, ai theksoi se “i vetmi kalim i sigurt mbetet Dheu i Bardhë”, ndërsa për pikat e tjera potencoi mungesë rregulli dhe standardi të njëjtë, duke lënë të kuptohet se ato nuk funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme.

Këto dy qëndrime të kundërta brenda një periudhe të shkurtër kohore kanë krijuar paqartësi dhe pakënaqësi tek qytetarët, të cilët për disa ditë janë informuar se situata është normale, ndërkohë që raportimet nga terreni tregojnë një realitet më të ndërlikuar.

Bujanoci.net vlerëson se deklarata të tilla kontradiktore cenojnë besimin publik dhe rrisin konfuzionin, sidomos për qytetarët që varen nga këto pika kufitare për lëvizje të përditshme.

Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për mungesë informacioni të saktë, keqkomunikim institucional apo ndryshim të shpejtë të rrethanave në terren. Ajo që është e qartë, megjithatë, është nevoja për informim të saktë, të qëndrueshëm dhe transparent ndaj qytetarëve.