Manchester United ka barazuar me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Bournemouth, në kuadër të javës së 31-të në Ligën Premier në një ndeshje dramatike që u vendos në minutat e fundit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me mysafirët që rrezikuan herët përmes Amad Diallo, por portieri vendas reagoi mjaft mirë. Në pjesën e parë, rasti më i mirë i takoi Bruno Fernandes, i cili nuk arriti të konkretizojë një mundësi të artë brenda zonës.
Goli i parë i takimit erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të, Bruno Fernandes u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar Manchester Unitedin në epërsi 1-0.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt. Në minutën e 67-të, Ryan Christie barazoi rezultatin me një goditje të bukur nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për 1-1.
Vetëm katër minuta më vonë, ndeshja mori një kthesë të papritur. Një autogol i pafat nga James Hill i dha epërsinë Manchester Unitedit për 2-1.
Kur dukej se mysafirët po shkonin drejt fitores, gjithçka ndryshoi në minutën e 78-të. Harry Maguire u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje, ndërsa gjyqtari akordoi edhe penallti për Bournemouthin.
Nga pika e bardhë, në minutën e 81-të, Eli Junior Kroupi u tregua i qetë dhe realizoi për 2-2, duke vulosur rezultatin përfundimtar të takimit.
Pas këtij barazimi, Manchester United shkon në kuotën e 55 pikëve dhe mban pozitën e tretë në tabelë./Telegrafi/





