“Makina e kuqe” – Si u shndërrua Liverpooli në një gjigant financiar, lëvizjet që ndryshuan historinë e klubit

Liverpooli ka habitur Evropën këtë verë me një ofensivë të rrallë në afatin kalimtar, duke shpenzuar mbi rreth 500 milionë euro për përforcime të reja.

Emra të mëdhenj si Alexander Isak, Florian Wirtz, Hugo Ekitike, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong janë transferuar në Liverpool FC, duke e bërë këtë një nga afatet kalimtare më të shtrenjta në historinë e futbollit.

Ky nivel investimi është i pazakontë edhe për standardet e Ligës Premier, sidomos për një klub që për vite me radhë ka ndjekur një politikë më të kujdesshme financiare nën pronësinë e Fenway Sports Group.

Nga kriza në një projekt model

Historia e këtij transformimi nis në vitin 2010, kur Fenway Sports Group e bleu klubin për afro 350 milionë euro dhe filloi një proces të thellë ristrukturimi financiar dhe sportiv.

Vendimi më i rëndësishëm ishte emërimi i trajnerit gjerman Jurgen Klopp, i cili ndryshoi identitetin e skuadrës me futbollin intensiv dhe filozofinë e tij të njohur të pressing.

Një moment kyç në projekt ishte shitja e Philippe Coutinho te Barcelona për rreth 165 milionë euro në vitin 2018. Këto para u investuan në dy transferime që ndryshuan fatin e klubit: Virgil van Dijk dhe Alisson Becker.

Me këtë bërthamë dhe me sulmin e përbërë nga Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino, Liverpooli fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe një vit më pas titullin e shumëpritur në Ligën Premier pas 30 vitesh.

Fuqia financiare e klubit

Sipas raportit financiar të UEFA, Liverpooli gjeneron rreth 830 milionë euro të ardhura, duke u renditur ndër klubet më të pasura në botë.

Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga partneritetet komerciale me kompani globale si Standard Chartered, Expedia, AXA dhe Japan Airlines. Vetëm marrëveshja me Standard Chartered i sjell klubit rreth 58 milionë euro.

Një rol të rëndësishëm ka edhe zgjerimi i stadiumit Anfield, i cili tashmë ka mbi 61 mijë vende dhe ka rritur ndjeshëm të ardhurat nga biletat dhe aktivitetet e tjera.

Në vitin 2025, Liverpooli ndryshoi edhe furnizuesin e fanellave, duke rikthyer bashkëpunimin me Adidas. Marrëveshja e re i garanton klubit mbi 70 milionë euro, plus përqindje nga shitja e produkteve.

Si shpenzon Liverpool pa shkelur rregullat financiare

Edhe pse shpenzimet në blerje kalojnë 500 milionë euro, Liverpooli arrin të respektojë rregullat financiare të Ligës Premier falë një mekanizmi të njohur si amortizimi i transferimeve.

Për shembull, transferimi i Florian Wirtz për rreth 120 milionë euro shpërndahet në pesë vite kontratë, që në bilanc rezulton vetëm rreth 24 milionë euro në vit.

Gjithashtu klubi përfiton shumë nga shitja e lojtarëve të akademisë, pasi këto transferime regjistrohen si fitim i plotë financiar.

Ndikimi në qytetin e Liverpoolit

Rritja e klubit ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë e qytetit. Turizmi sportiv në rajonin e Liverpoolit vlerësohet mbi 7 miliardë euro dhe mbështet dhjetëra mijëra vende pune.

Stadiumi Anfield përdoret gjithashtu për koncerte të artistëve të mëdhenj si Taylor Swift dhe P!nk, duke sjellë miliona euro të ardhura për ekonominë lokale.

Problemet në fushë

Megjithatë, investimi i madh nuk ka garantuar menjëherë sukses sportiv. Nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, Liverpooli ka pasur vështirësi në sezonin 2025/26.

Dëmtimet, forma e dobët e disa lojtarëve dhe rënia e performancës së Mohamed Salah kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës, duke vënë në dyshim projektin e ri sportiv.

Në prapaskenë madje përmendet edhe emri i ish-mesfushorit legjendar të klubit, Xabi Alonso, si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin në të ardhmen.

Por, Liverpooli është sot një nga klubet më të fuqishme financiarisht në futbollin botëror. Falë strategjisë së Fenway Sports Group dhe epokës së suksesshme të Jurgen Klopp, klubi u shndërrua në një markë globale. /Telegrafi/