Filmi i shkurtër Two People Exchanging Saliva është shpërblyer me çmimin Oscar për Filmin më të Mirë të Shkurtër (Live Action Short Film) në ceremoninë e Academy Awards 2026, një nga çmimet më prestigjioze në industrinë botërore të filmit.
Një moment i veçantë krenarie për kinemanë kosovare është pjesëmarrja e aktores Luana Bajrami, e cila është pjesë e kastit të këtij projekti fitues.
Prania e saj në një film që është vlerësuar me çmimin më të madh të kinemasë botërore shënon një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare.
Bajrami tashmë është një emër i njohur në skenën evropiane të filmit, duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme dhe festivale prestigjioze.
Me paraqitjet e saj në produksione të ndryshme kinematografike, ajo vazhdon të përfaqësojë me dinjitet talentin e artistëve kosovarë në industrinë ndërkombëtare të kinemasë.
Filmi është realizuar nga regjisorët Natalie Musteata dhe Alexandre Singh. Në kastin e tij luajnë aktorët Zar Amir Ebrahimi, Luana Bajrami dhe Aurélie Boquien, ndërsa narracioni është realizuar nga aktorja Vicky Krieps.
Fitorja e këtij çmimi në Academy Awards 2026 e vendos filmin Two People Exchanging Saliva mes produksioneve më të vlerësuara të vitit në kategorinë e filmave të shkurtër, duke tërhequr vëmendjen e industrisë së filmit dhe publikut ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, kjo arritje shënon edhe një moment të rëndësishëm për praninë e artistëve me origjinë nga Kosova në skenën botërore të kinemasë.
Luana Bajrami është e njohur edhe për rolet e saj në filma të tjerë të vlerësuar ndërkombëtarisht, si Portrait of a Lady on Fire (2019) dhe School’s Out (2018), duke u afirmuar si një nga aktoret e reja më premtuese në kinemanë evropiane. /Telegrafi/






