LSDM: Rasti i ryshfetit të Vase Anakievit dëshmon për korrupsion sistematik në institucionet shtetërore

Partia opozitare, LSDM akuzon se rasti i fundit me arrestimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, paraqet një tregues serioz të, siç thonë ata, korrupsionit sistemik në institucionet nën drejtimin e Qeverisë. Nga partia ...

Nacionale

Partia opozitare, LSDM akuzon se rasti i fundit me arrestimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, paraqet një tregues serioz të, siç thonë ata, korrupsionit sistemik në institucionet nën drejtimin e Qeverisë.

Nga partia opozitare theksojnë se Anakiev është privuar nga liria nën dyshimin për marrje ryshfeti në vlerë prej 50.000 euro, duke e vlerësuar këtë si “një tjetër dëshmi” të, siç pretendojnë, veprimit të organizuar të pushtetit.

LSDM rikujton se së fundmi është hapur edhe një rast tjetër i lidhur me sektorin e bujqësisë, ku drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi ishte gjithashtu i dyshuar për marrje ryshfeti në të njëjtën shumë.

Sipas partisë, raste të tilla kanë pasoja të drejtpërdrejta për bujqit dhe për funksionimin e sistemit. Ata theksojnë se për shkak të skandaleve korruptive është pezulluar programi IPARD 3 në vlerë prej 130 milionë euro, si dhe janë ulur subvencionet dhe çmimet e blerjes. “Pyetja është kush tjetër nga pushteti është i përfshirë? Nuk mund të ketë kaq shumë korrupsion në nivelet më të ulëta, ndërsa maja të mos ketë dijeni”, thuhet nga LSDM.

Nga partia kërkojnë hetim të thellë që do të përcaktojë përgjegjësinë “nga i pari deri te i fundit”, duke theksuar se institucionet duhet të veprojnë pa selektivitet.