Një sukses i rëndësishëm akademik vjen nga Zvicra, ku Lirie Namani, me prejardhje nga fshati Kapit i Medvegjës, ka fituar titullin Doktore e Shkencave Edukativo-Arsimore në Universitetin e Gjenevës, me notën më të lartë.
Namani ka mbrojtur me sukses doktoratën më 13 nëntor 2026, para një komisioni vlerësues të përbërë nga pesë anëtarë, duke përmbyllur kështu një rrugëtim të gjatë kërkimor dhe akademik.
Tema e doktoratës së saj trajton përvojat shkollore të familjeve me prejardhje migrante në Zvicër, duke u përqendruar veçanërisht te brezi i dytë i emigrantëve, të cilët tashmë janë prindër të fëmijëve që ndjekin shkollimin në këtë shtet.
Përmes këtij studimi, Namani ka analizuar ndikimin e përvojave shkollore të prindërve në raportin e tyre me sistemin arsimor dhe në përfshirjen e tyre në edukimin e fëmijëve. Hulumtimi është realizuar përmes intervistave biografike dhe gjysmë të strukturuara, duke sjellë perspektiva mbi marrëdhënien mes familjes, shkollës dhe integrimit.
Krahas angazhimit të saj shkencor, Lirie Namani është ligjëruese në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Valais-it (HEP Valais), ndërsa gjatë studimeve të doktoratës ka pasur mbështetjen e këtij institucioni.
Në përmbyllje të këtij rrugëtimi, ajo ka shprehur mirënjohje për profesoreshën Barbara Fouquet-Chauprade, e cila ka udhëhequr punën e saj shkencore, anëtarët e komisionit vlerësues, si dhe HEP Valais për mbështetjen financiare gjatë realizimit të doktoratës.
Namani është gjithashtu e angazhuar në Lidhjen e Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër, ku kontribuon në aktivitete të komunitetit shqiptar dhe çështje që lidhen me vendlindjen e saj.
Lajmin për këtë arritje e ka bërë të ditur edhe babai i saj, Zenullah Namani, i cili ka shprehur krenarinë e familjes për suksesin e së bijës.
“Ne, si familje, i urojmë suksese në këtë fushë të lartpërmendur. Krenarë me ty, Lirie!”, ka shkruar ai.
Arritja e Lirie Namanit në Universitetin e Gjenevës shënon një moment të rëndësishëm për familjen e saj dhe komunitetin shqiptar, duke dëshmuar rrugëtimin e saj në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe kontributit shoqëror./Telegrafi/





