Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është deklaruar për herë të parë pas shpalljes së armëpushimit mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, duke theksuar se populli iranian ka dalë fitues nga përballja dhe se vendi do të kërkojë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara.
Në një mesazh të transmetuar në televizion shtetëror iranian, Khamenei nënvizoi se kjo periudhë përfaqëson një moment të rëndësishëm për vendin, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime në mënyrën e menaxhimit të Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më strategjike në botë për transportin e naftës.
“Sot, në këtë fazë të epopesë së Mbrojtjes së Tretë të Shenjtë, mund të thuhet me bindje se ju, populli heroik i Iranit, jeni fituesi vendimtar në këtë përballje. Për të ndërtuar një ‘Iran të fortë’, është thelbësore prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i qytetarëve tanë, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre dyzet ditëve të fundit”, u shpreh ai, shkruan timesofisrael.

Ai u drejtua iranianëve duke theksuar se nuk duhet të mendohet se me paralajmërimin për negociata me armikun, pjesëmarrja qytetare në rrugë dhe hapësira publike nuk është më e nevojshme.
“Pavarësisht nëse, për shembull, shfaqet një periudhë qetësie në fushëbetejë, përgjegjësia e atyre që mund të jenë të pranishëm në sheshe, në lagje dhe në xhami bëhet edhe më e rëndësishme se më parë. Pa dyshim, thirrjet dhe aktiviteti juaj në hapësira publike ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e negociatave”, u shpreh Mojtaba Khamenei.
Khamenei theksoi se Irani nuk ka kërkuar kurrë luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij legjitime në asnjë rrethanë, duke konsideruar të gjithë frontin e rezistencës si një tërësi të bashkuar.
“Me lejen e Zotit të Madhërishëm, nuk do të lejojmë që agresorët kriminalë të mbeten të pandëshkuar. Pa dyshim, do të kërkojmë dëmshpërblim për çdo dëmtim të shkaktuar, kompensim për dëshmorët dhe invalidët e kësaj lufte, dhe do ta çojmë menaxhimin e Ngushtica e Hormuzit në një nivel të ri”, u shpreh ai.
Ai pati edhe një mesazh të qartë për fqinjët jugorë të Iranit.
“Jeni dëshmitarë të një mrekullie, prandaj shikoni me kujdes, kuptoni dhe qëndroni në anën e duhur. Ruhuni nga premtimet e rreme të djajve të këqij. Ne ende presim një reagim të duhur nga ju, në mënyrë që të tregojmë vëllazërinë dhe qëllimet tona të mira; kjo nuk mund të ndodhë përveçse nëse largoheni nga fuqitë arrogante”, përfundoi Mojtaba Khamenei.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani do të nisin të shtunën negociatat për arritjen e paqes pasi tashmë në fuqi është një armëpushim dy-javor. /Telegrafi/





