Lewis Hamilton ka arritur së fundmi podiumin e parë me Ferrarin, duke u renditur i treti në garën kryesore të GP të Kinës, pas një beteje të fortë me shokun e skuadrës, Charles Leclerc.
Megjithatë, ish-pilotit të F1, Jacques Villeneuve, i duket se Hamilton, kampioni shtatë herë botëror, ka sakrifikuar performancën e skuadrës gjatë përplasjes me Leclerc.
Kur Hamilton vendosi të largohej nga Mercedes për të realizuar ‘ëndrrën e jetës’ te Ferrari, askush nuk priste vështirësitë që do të haste gjatë sezonit të tij të parë. Piloti veteran e kishte humbur besimin dhe dyshonte në aftësitë e tij, por me një makinë të re dhe rregullore të ndryshuara, ai ka rifituar motivimin dhe ritmin.

Në Shanghai International Circuit, Hamilton arriti suksesin e tij të vetëm të dukshëm vitin e kaluar duke fituar Sprint Race-in, por këtë sezon performanca e tij duket më e qëndrueshme, duke treguar se mund të përparojë me makinën e fortë të Ferrarit.
Megjithatë, pavarësisht se makina e Ferrarit ishte e dyta më e shpejtë në garë, diferenca me Mercedesin mbetet e konsiderueshme.
Hamilton mori drejtimin e garës në start, por u tejkalua shpejt nga Kimi Antonelli dhe George Russell, që krijuan një epërsi të pakapshme, me Antonellin që përfundoi mbi 30 sekonda para Ferrarit.
Mercedes ka treguar dominim të qartë në fillim të sezonit, saqë rivalët kërkuan një votim të FIA-s për të adresuar një çështje teknike në motorët e gjermanëve.
Pas garës, Hamilton komentoi: “Sigurisht, këta djem [Mercedes] po na kalojnë me shpejtësi marramendëse, por të gjithë jemi aq afër. Shpresoj që gara ishte emocionuese për ju, sepse për mua ishte fantastike në makinë”.
Megjithatë, Villeneuve mendon se beteja me Leclerc ‘shkatërroi’ shanset e Ferrarit për një rezultat më të lartë.
“Ishte e drejtë sepse ai përfundoi i treti dhe mundi shokun e skuadrës, por ishte pak ekstreme dhe shkatërroi garën e Ferrarit. Ata po luftonin shumë fort dhe shpenzuan goma, duke humbur rreth pesë sekonda ndaj Antonellit në dy xhiro”, deklaroi Villeneuve për Sky Sports F1.
Ai shtoi se nëse pilotët e Ferrarit vazhdojnë të humbasin kohë duke luftuar midis tyre, kjo mund t’i japë mundësinë Mercedesit të krijojë epërsi, duke rrezikuar shanset e Ferrarit për të sfiduar gjermanët këtë sezon.
Në përgjithësi, GP i Kinës tregoi emocionin dhe konkurrencën që sjellin rregulloret e reja, duke ofruar garë me rrotullime të shumta dhe rivalitet të afërt në pistë, dhe Hamilton e përjetoi këtë ndjesi si “si të garoje me go-kart”, duke shfaqur ritëm dhe agresivitet në betejat me Russell dhe Leclerc. /Telegrafi/





