Fabio Cannavaro ka komentuar së fundmi mbi zërat që e lidhin atë me një rol të mundshëm drejtues në stolin e kombëtares së Shqipërisë, në rast largimi të përzgjedhësit aktual Sylvinho.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, fituesi i Kupës së Botës me Italinë theksoi se për të nuk ka shumë rëndësi vendi ku punon, por projekti dhe mundësia për të qenë aktiv në fushë dhe në ndërtimin e një skuadre konkurruese.

“Mund të jetë Serie A, Kina, Turqia, qoftë dhe Shqipëria, rëndësi ka të trajnosh dhe të jesh brenda një projekti në fushë”, ka deklaruar mbrojtësi legjendar.
Deklarata e Cannavaros ka ngjallur vëmendje në opinionin sportiv, duke lënë të hapur mundësinë e një angazhimi të tij të ardhshëm në futbollin ndërkombëtar, përfshirë edhe një rol potencial në drejtimin e Kombëtarja e Shqipërisë.
Ish-mbrojtësi legjendar ka theksuar shpesh në karrierën e tij si trajner se prioritet për të është projekt sportiv i qartë dhe mundësia për të ndërtuar një ekip me vizion afatgjatë, pavarësisht kampionatit apo vendit ku zhvillohet.
Duke marrë parasysh se Shqipëria në radhët e saj ka një gjeneratë fantastike futbollistësh, nuk përjashtohet mundësia që Cannavaron ta shohim së shpejti duke marrë drejtimin e ‘Kuqezinjve’./Telegrafi/





