Po shtohen gjithnjë e më shumë provat për përpjekjet e kryeministrit Viktor Orban për t’u orientuar drejt lindjes dhe për të lidhur Hungarinë ekonomikisht dhe politikisht me Rusinë, gjë që kundërshtarët po e përdorin kundër tij para zgjedhjeve.
Qeveria hungareze ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, tregtare, energjetike dhe kulturore mes dy vendeve, sipas dokumenteve të siguruara nga Politico.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko nënshkruan një plan me 12 pika, i cili përcakton fushat e bashkëpunimit pas një takimi në Moskë në muajin dhjetor.

Dokumenti, i cili nuk ishte bërë publik më parë, zbulon se deri në çfarë mase dy qeveritë synojnë të harmonizohen në fusha si karburanti bërthamor, arsimi dhe sporti.
Në takimin e mbajtur më 9 dhjetor 2025 në Moskë, palët diskutuan çështje aktuale të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sektorë si energjia, industria, shëndetësia, bujqësia, ndërtimtaria dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e zhvillimit të marrëdhënieve afatgjata dhe reciprokisht të dobishme mes dy vendeve.
Ndër pikat e dakorduara është edhe përpjekja për të përmbysur trendin negativ në tregtinë dypalëshe, e cila ka rënë si pasojë e sanksioneve të Bashkimi Evropian ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Marrëveshja gjithashtu hap mundësinë për kompanitë ruse që të nisin projekte të reja në fushën e energjisë elektrike dhe hidrogjenit në Hungari, si dhe për bashkëpunim më të ngushtë në naftë, gaz dhe karburant bërthamor.
Budapesti ka pranuar të shqyrtojë forcimin e mësimit të gjuhës ruse përmes importimit të mësuesve nga Rusia, si dhe të përmirësojë njohjen reciproke të kualifikimeve dhe të hapë programe shkëmbimi për studentët pasuniversitarë.
Sipas marrëveshjes, Hungaria do të mbështesë vazhdimin e programeve të shkëmbimit në fusha të ndryshme – nga sporti deri te arti i cirkut – ndërsa palët kanë përkrahur edhe një plan të përbashkët bashkëpunimi sportiv për periudhën 2026–2027.
Megjithatë, në dokument theksohet se lidhjet më të ngushta me Rusinë nuk duhet të bien ndesh me detyrimet e Hungarisë si anëtare e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin dhe Orban kanë mbajtur kontakte të rregullta, ndërsa raportet tregojnë për përpjekjet e Budapestit për të ruajtur marrëdhënie të afërta me Moskën, pavarësisht presionit nga BE-ja.
Orban po përballet me një nga sfidat më të mëdha politike në zgjedhjet parlamentare, ku partia e tij është nën presion nga opozita. /Telegrafi/





