Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur më 30 mars 2026 lidhur me kërkesën me numër KO68/26, të parashtruar nga kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së proced...

Nacionale
Reklame

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur më 30 mars 2026 lidhur me kërkesën me numër KO68/26, të parashtruar nga kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Gjykata, me vendim unanim, ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesve dhe njëkohësisht ka refuzuar edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, e cila synonte pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Sipas vendimit, Gjykata ka urdhëruar që ai t’u kumtohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa hyn në fuqi menjëherë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

I. TË HEDHË POSHTË kërkesën e parashtruesve të kërkesës;

II. TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme;

III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

IV. TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtimme paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuesetë Republikës së Kosovës;

V. TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.

Kërkesa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga Haxhiu një ditë pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, për shkak të mungesës së kuorumit. Në atë seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të vazhduar procedurën e votimit.

Pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu kishte bërë të ditur se përmes kërkesës në Kushtetuese ishte kërkuar edhe pezullimi i afatit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë vazhdimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit, pa ndryshime në afatet kushtetuese./Telegrafi/