Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se uji mund të bëhet shkak i konflikteve globale, ashtu siç ka qenë nafta në të kaluarën. Në këtë kontekst, ai ka rikujtuar rëndësinë e menaxhimit të kujdesshëm të burimeve ujore në Turqi.
Sipas tij, në një shekull ku konkurrenca për pushtet po intensifikohet në të gjitha fushat, burimi më strategjik dhe më i vlefshëm në prodhim dhe energji është pikërisht uji. Këtë e theksoi gjatë inaugurimit të 563 objekteve të ndërtuara nga Drejtoria Shtetërore për Burimet Ujore të Turqisë (DSI).
“Lufta që në shekullin e kaluar zhvillohej për naftën dhe lëndët e tjera djegëse fosile, në të ardhmen do të zhvillohet për ujin. Duke parë konfliktet e nxehta përreth nesh, këto shenja tashmë janë të dukshme”, u shpreh Erdogan, raporton gazeta Hurriyet.

Ai rikujtoi se uji po rrezikohet si pasojë e ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë, urbanizimit të shpejtë dhe industrializimit. Sipas tij, mesatarja vjetore globale e reshjeve arrin në 990 milimetra (990 litra për metër katror), ndërsa në Turqi kjo mesatare është 574 milimetra (574 litra për metër katror).
“Kjo tregon se jemi të detyruar të mbrojmë, të përdorim në mënyrë racionale dhe të menaxhojmë ujin tonë para se të arrijmë në pikën e shterimit”, theksoi ai.
Erdogan u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të kenë një qasje të përgjegjshme ndaj ujit.
Lideri turk theksoi gjithashtu se kërkesa globale për ujë të pastër është në rritje, ndërsa burimet po pakësohen për shkak të konsumit të tepruar dhe ndotjes.
“Aktualisht, 2.2 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje të sigurt në ujë të pijshëm. Sipas Raportit Botëror për Ujin, vlerësohet se deri në vitin 2050, gjashtë miliardë njerëz nuk do të kenë qasje në sasi të mjaftueshme të ujit të pastër. Për më tepër, kriza klimatike po kërcënon pikërisht ujin – burimin tonë të jetës”, tha Erdogan.
Në fund, ai theksoi se Turqia përballet me disa nga kërcënimet më të mëdha të ndryshimeve klimatike, përfshirë zjarret pyjore dhe përmbytjet. /Telegrafi/






