Kurti pret përfaqësuesit e BERZh-it, diskutohet për investime 400 milionësh euro deri më 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, pritën në takim përfaqësuesit e Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe këtij institucioni financiar ndërkombëtar.

Në takim u fol për avancimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2024, i cili parasheh një portofol investimesh deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027.

Po ashtu u trajtuan projektet prioritare në disa sektorë kyç, përfshirë infrastrukturën rrugore, sistemin e ujërave të zeza, furnizimin me ujë, efikasitetin e energjisë dhe transportin publik. Palët diskutuan edhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja financimi gjatë viteve 2026–2027.

Kryeministri Kurti e falënderoi BERZh-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me këtë institucion për realizimin e projekteve strategjike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BERZh-it riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, si në zbatimin e projekteve zhvillimore, ashtu edhe në mbështetje të reformave ekonomike.