Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka ngritur sërish në Kuvendin e Kosovës çështjen e edukimit seksual dhe përfshirjes së temave për orientimet seksuale në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti sqarime për përmbajtjen e trajnimeve të mësimdhënësve dhe materialet që lidhen me këtë fushë.
Rrahmani, gjatë seancës së Kuvendit, fillimisht kërkoi respektimin e Rregullores së Kuvendit dhe të drejtës së deputetëve për të parashtruar pyetje e për të diskutuar çështje që lidhen me dokumentet dhe angazhimet e Qeverisë.
Duke iu drejtuar Kurtit, ai rikujtoi se në përmbledhjen e të arriturave të Qeverisë për mandatin katërvjeçar, në mesin e zhvillimeve në arsim ishte përmendur edhe përfshirja e temave për orientimet seksuale në shkolla.
“Ju e konsideroni arritje kryesore, në fakt, në arsim që fëmijëve t’u paraqiten si vlerë civilizuese ideja se njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë me një person të së njëjtës gjini. Kryeministër, përse ua ofroni këtë fëmijëve të këtij vendi?”, pyeti Rrahmani.
Në përgjigje, Kurti tha se për çështjen e doracakut për edukimin seksual, për të cilin ishte zhvilluar debat publik, kishte dhënë sqarime edhe më herët, duke iu referuar një video-adresimi të publikuar më 17 nëntor 2024.
“Është gjithmonë mirë të flitet për arsimin dhe të drejtat e njeriut, dy fusha që kërkojnë jo vetëm vëmendje, por mbi të gjitha një kuptim të thellë dhe të saktë të dokumenteve dhe standardeve”, deklaroi Kurti.
Ai tha se nuk kishte diçka të re për të shtuar lidhur me këtë çështje, ndërsa më pas përmendi disa nga zhvillimet që i konsideroi të arritura të Qeverisë në sektorin e arsimit.
Kurti veçoi arsimin publik pa pagesë në nivelin bachelor dhe master, duke thënë se mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat. Ai përmendi edhe ndarjen e 18 mijë bursave, në vlerë prej 20 milionë eurosh, si dhe mbështetjen për vajzat dhe gratë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).
Sipas tij, rreth 40 për qind e bursave kanë qenë të dedikuara për STEM, ndërsa 90 për qind e bursave në këtë kategori u janë ndarë vajzave dhe grave.
Kryeministri përmendi gjithashtu rritjen për 33 për qind të numrit të fëmijëve në çerdhe, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetjen financiare për familjet.
Ai theksoi se gjatë mandatit të tij, për herë të parë pas luftës, fëmijët dhe nënat lehona përfitojnë shtesa të rregullta financiare nga shteti.
Rrahmani rikthehet te trajnimet e mësimdhënësve
Megjithatë, debati mes dy politikanëve vazhdoi edhe më tej, pasi Rrahmani e riktheu vëmendjen te edukimi seksual në shkolla dhe trajnimet e organizuara për mësimdhënësit.
Deputeti i PDK-së pretendoi se më shumë se dy mijë mësimdhënës ishin trajnuar për këtë çështje, duke kërkuar nga Kurti të sqarojë se çfarë u ishte prezantuar atyre gjatë trajnimeve.
Ai pretendoi se në këto trajnime ishte shpjeguar se mësimdhënësit duhet t’u tregonin fëmijëve edhe përvojat e tyre seksuale.
“Kryeministër, në paradat në të cilat keni marrë pjesë, sa herë keni dalë, njëra ndër diskutimet tuaja ka qenë pikërisht edhe kjo që po e flas unë. Domethënë, ku i informoni se tash e tutje fëmijët do të mësojnë për këto orientime seksuale. Folët edhe për çështjen e doracakut për edukimin seksual, i cili ka qenë i dedikuar për mësimdhënësit e Republikës. Në atë periudhë mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar dhe në atë trajnim është shpjeguar që ata duhet t’i tregojnë edhe përvojat e tyre seksuale te fëmijët”, deklaroi Rrahmani.
Në kundërpërgjigjen e tij, Kurti iu referua sërish përmbledhjes së të arriturave të Qeverisë në arsim, duke kritikuar deputetin e PDK-së për rikthimin e vazhdueshëm te e njëjta temë.
“Edhe një herë, deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqet 20 dhe 21 të kësaj përmbledhjeje, të cilën e kam publikuar dje. Këtu ka shumë gjëra, por unë po e kuptoj dhe po e ritheksoj që nuk e mirëkuptoj që ju e risillni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual, provoni ndoshta t’i mbani mend diku tjetër, se mbase ndihmon”, u përgjigj Kurti./Telegrafi.





