Kurti përkujton Masakrën e Kralanit, bën thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Kralanit, duke ndarë dhimbjen me familjet e viktimave dhe duke ritheksuar përkushtimin institucional për drejtësi. Në një postim në Facebook, Kurti rikujtoi se mes 2 dhe 4 prillit 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në Kralan, ku u […]

Nacionale

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Kralanit, duke ndarë dhimbjen me familjet e viktimave dhe duke ritheksuar përkushtimin institucional për drejtësi.

Në një postim në Facebook, Kurti rikujtoi se mes 2 dhe 4 prillit 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në Kralan, ku u mbajtën në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe ujë.

Më 4 prill, 86 prej tyre – përfshirë edhe të mitur – u ndaluan dhe që nga ajo ditë nuk u panë më të gjallë.

Kryeministri theksoi se shumë prej viktimave u vranë dhe u zhdukën, ndërsa trupat e tyre u fshehën në varreza masive, në përpjekje për të mbuluar krimet.

Ai përmendi se disa mbetje mortore janë gjetur pas luftës në zona pranë Gjakovës, si dhe në varreza masive në Serbi dhe në Bishtazhin, ndërsa dhjetëra persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Kurti vlerësoi qëndresën e familjeve të viktimave, duke e cilësuar atë si dëshmi të forcës së popullit, ndërsa shtoi se plagët e tyre mbeten ende të hapura.

“Jemi të përkushtuar çdo ditë në betejën për drejtësi dhe në nderimin e përhershëm të martirëve dhe dëshmorëve tanë”, ka deklaruar ai.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë që gëzojmë sot”, ka shkruar mes tjerash Kurti./Telegrafi/