Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Austri, ku kanë humbur jetën katër persona, mes tyre tre shtetas të Kosovës.
Sipas tij, informacionet janë konfirmuar nga Ambasada e Kosovës në Vjenë.
“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.
“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, theksoi ai.
Kryeministri bëri të ditur se institucionet e Kosovës janë duke ndjekur nga afër situatën dhe janë në komunikim me përfaqësitë diplomatike në Austri.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, u shpreh Kurti.
Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar se viktima e tretë nga aksidenti tragjik në një punishte në distriktin Alsergrund të martën, është Istref Zekaj
Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.
Më herët, Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu. /Telegrafi/





