Kur dhuna ndaj grave trondit një shoqëri: Frika, stresi dhe plagët e heshtura të popullatës

shendetesi

Frika për sigurinë personale, ankthi, pagjumësia dhe shqetësimi për të afërmit janë ndër pasojat psikologjike që mund të shkaktojnë lajmet për dhunën ndaj grave. Edhe fëmijët e ndiejnë peshën e këtyre ngjarjeve, shpesh pa qenë në gjendje t’i shprehin emocionet e tyre Miradije StatovciPsikologe klinike – Poliklinika Galaxy Ngjarjet e rënda të dhunës ndaj grave […]

Madhësia e shkronjave

Frika për sigurinë personale, ankthi, pagjumësia dhe shqetësimi për të afërmit janë ndër pasojat psikologjike që mund të shkaktojnë lajmet për dhunën ndaj grave. Edhe fëmijët e ndiejnë peshën e këtyre ngjarjeve, shpesh pa qenë në gjendje t’i shprehin emocionet e tyre

Miradije StatovciPsikologe klinike – Poliklinika Galaxy

Ngjarjet e rënda të dhunës ndaj grave nuk mbeten vetëm tragjedi individuale apo familjare. Ato lënë gjurmë në ndërgjegjen e gjithë shoqërisë. Sa herë që një grua humb jetën si pasojë e dhunës, tronditet jo vetëm familja e saj, por edhe ndjenja e sigurisë te shumë qytetarë.

Frika nuk prek vetëm viktimat, por edhe ata që dëgjojnë për dhunën

Kur lajmet për vrasjen e grave përsëriten, njerëzit mund të përjetojnë frikë, pasiguri dhe shqetësim të vazhdueshëm. Për disa, këto ngjarje bëhen burim ankthi, vështirësish me gjumin, tensioni emocional dhe mendimesh të përsëritura për sigurinë e familjarëve të tyre.

Nuk duhet harruar se edhe fëmijët ndikohen nga atmosfera e frikës që krijohet në shoqëri. Ata i vërejnë emocionet e prindërve, dëgjojnë bisedat dhe ekspozohen ndaj lajmeve e pamjeve shqetësuese. Prandaj, është e rëndësishme që me ta të flasim me kujdes, t’u japim siguri dhe të mos i ekspozojmë pa nevojë ndaj detajeve të rënda.

Dhuna ndaj grave nuk duhet të normalizohet dhe as të trajtohet si një lajm që harrohet pas disa ditësh. Ajo kërkon vëmendje të vazhdueshme, parandalim, edukim, reagim institucional dhe mbështetje për personat që përjetojnë dhunë apo ndihen të rrezikuar.

foto: nadya_nadya

Pasojat që nuk shihen dhe nevoja për siguri

Nga këndvështrimi im profesional, mendoj se pas çdo ngjarjeje të dhunshme mbeten pasoja që nuk shihen gjithmonë. Frika, pasiguria dhe humbja e ndjenjës së sigurisë mund të ndikojnë në jetën emocionale të individëve dhe familjeve. Prandaj, përveç reagimit ndaj dhunës, duhet të investojmë më shumë në parandalim, edukim dhe mbështetje psikologjike.

Në një periudhë kur shoqëria përballet me lajme të tilla, është e rëndësishme të kujdesemi edhe për shëndetin tonë mendor. Të kufizojmë ekspozimin e vazhdueshëm ndaj pamjeve tronditëse, të flasim me njerëz të besuar dhe të kërkojmë ndihmë profesionale kur frika apo ankthi fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme.

Shëndeti mendor nuk nënkupton vetëm të mësohemi me rrethanat e vështira, por edhe të jetojmë në një mjedis ku ndihemi të sigurt dhe të respektuar.

Gratë nuk duhet të jetojnë duke u frikësuar për jetën e tyre. Siguria nuk është privilegj, është e drejtë themelore. Dhe heshtja nuk mund të jetë përgjigjja jonë ndaj dhunës. /Telegrafi/

Komentet