Kujtohet Agim Ramadani në 27-vjetorin e rënies, çmohet roli i tij në Betejën e Koshares

Nacionale

Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani, figura e tij është përkujtuar me nderime të larta nga udhëheqës institucionalë dhe politikë në Kosovë, duke rikujtuar rolin vendimtar në një nga betejat më të rëndësishme të luftës për liri. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi Ramadanin si një emër të papërsëritshëm […]

Madhësia e shkronjave

Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani, figura e tij është përkujtuar me nderime të larta nga udhëheqës institucionalë dhe politikë në Kosovë, duke rikujtuar rolin vendimtar në një nga betejat më të rëndësishme të luftës për liri.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi Ramadanin si një emër të papërsëritshëm të kohës së tij. Ajo theksoi se rënia e tij në vijën e parë të frontit në Koshare shënoi një moment historik, aty ku “u hoq përgjithmonë guri famëkeq i kufirit” mes shqiptarëve.

Sipas saj, beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare mbetet simbol i krenarisë dhe lavdisë kombëtare. Gërvalla e përshkroi Ramadanin si një figurë të rrallë dhe shumëdimensionale, që me vizion dhe sakrificë arriti ta kthejë idealin e lirisë në realitet historik.

Në akademinë përkujtimore kushtuar heroit, mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vlerësoi lart trimërinë e komandant “Katanës”. Ai rikujtoi betimin e Ramadanit “për të mos vdekë pa luftuar”, duke theksuar se ai e ndoqi këtë zotim deri në fund.

Haradinaj vuri në pah rolin kyç të Ramadanit në Betejën e Koshares, së bashku me luftëtarët Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahaj, të cilët, sipas tij, i dhanë vulë një prej betejave më të rëndësishme të UÇK-së, duke e bërë atë “unikë dhe të pavdekshme”. Ai gjithashtu përkujtoi edhe dhjetëra luftëtarë të tjerë të rënë në këtë betejë, duke i cilësuar si heronj të thyerjes së kufirit mes shqiptarëve.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, figurën e Agim Ramadanit, e ka përshkruar si një personalitet unik ku ndërthureshin ndjeshmëria e artistit dhe vendosmëria e luftëtarit.

Sipas Abdixhikut, Ramadani ishte një figurë që nuk mund të përkufizohet lehtë, pasi në të bashkëjetonin dy botë që rrallë takohen. Ai theksoi se arma për Ramadanin nuk ishte zgjedhje e parë, por një domosdoshmëri për të mbrojtur idealin e lirisë.

Edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, kujtoi sakrificën e Ramadanit, duke theksuar se vetëm dy ditë pas thyerjes së kufirit Kosovë–Shqipëri, ai ra heroikisht në luftë, duke lënë pas një trashëgimi të përhershme në historinë kombëtare.

Në të njëjtën linjë, ish-presidentja Vjosa Osmani theksoi se më 11 prill 1999, Agim Ramadani u shndërrua në simbol të qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Ajo shtoi se vepra e tij mbetet një betim për liri që vazhdon të frymëzojë brezat.