Kujtesa dhe e vërteta – në sheshin e Prishtinës

Ka njerëz që nuk ndërtojnë, por zënë vend pranë asaj që është ndërtuar. Nuk ndezin dritë, por përpiqen të duken në ndriçimin e të tjerëve. Nuk mbajnë peshën e veprës, por kërkojnë hijen e saj, që të fshehin zbrazëtinë e vet. Këta janë kujdestarët e p...

opinion
Reklame

Ka njerëz që nuk ndërtojnë, por zënë vend pranë asaj që është ndërtuar. Nuk ndezin dritë, por përpiqen të duken në ndriçimin e të tjerëve. Nuk mbajnë peshën e veprës, por kërkojnë hijen e saj, që të fshehin zbrazëtinë e vet. Këta janë kujdestarët e përvetësimeve.

Në jetën e përditshme mund të kalojnë si të afërt, si besnikë, si admirues të përulur. Flasin me gjuhën e lavdërimit, afrohen me fytyrën e mirësjelljes, por në thelb nuk i shtyn respekti për të vërtetën, i shtyn lakmia për ta zotëruar atë që nuk e krijuan kurrë.

Ata nuk ecin krah teje për të ndarë barrën, por për të shfrytëzuar çastin kur mund të të zëvendësojnë në kujtesën e të tjerëve.

Njeriu pa vepër kërkon të banojë në veprën e dikujt tjetër. Njeriu pa rrënjë mundohet të mbillet në historinë e atij që ka sakrifikuar. Njeriu pa dritë kërkon të përvetësojë flakën, pa e kuptuar se drita e vërtetë nuk vidhet: ajo ose buron nga brenda, ose mungon krejt.

Këta janë servilët e ngjitur pas lavdisë së huaj, tinëzarët që buzëqeshin përballë dhe gërryejnë prapa shpine, mashtruesit që nuk mjaftohen me gënjeshtrën, por duan t’i japin asaj pamjen e trashëgimisë.

Ata përpiqen të përvetësojnë kontributin, mundin, edukimin, suksesin, madje edhe të kaluarën e tjetrit, sikur koha të mos kishte dëshmitarë, sikur sakrifica të mos linte gjurmë, sikur e vërteta të ishte pa zot. Por, historia ka një ligj të pashkruar: ajo mund të vonojë, por nuk verbohet përgjithmonë.

Për një kohë, mashtruesi mund të ngjitet; mund të zërë vend, mund të flasë me tonin e autoritetit, mund të përpiqet të mbulojë me zhurmë mungesën e thelbit. Megjithatë, gjithçka që ngrihet mbi përvetësim mban brenda vetes farën e rënies. Sepse ajo që nuk është fituar me meritë, nuk mbahet dot me dinjitet.

Në të kaluarën, shumë të tillë kanë menduar se mund të fshijnë emrat e të vërtetëve, të zbehin kontributet e burrave të urtë, të trembin kundërshtarët, të largojnë bashkëpunëtorët, madje të sakrifikojnë edhe lidhjet më të afërta për të mbrojtur fronin e tyre të rremë. Ata kanë kujtuar se lavdia mund të pushtohet, se historia mund të manipulohet, se kujtesa e një populli mund të lodhet e të dorëzohet. Por, kujtesa e thellë e njeriut dhe e kombit nuk dorëzohet aq lehtë. Ajo mund të heshtë përkohësisht, por nuk shuhet. Dhe, kur vjen çasti i dritës, maskat bien jo me zhurmë, por me turp. Atëherë kuptohet se disa nuk ishin rojtarë të vlerave, por uzurpues të tyre; jo bartës të trashëgimisë, por shfrytëzues të saj; jo ndërtues të historisë, por parazitë mbi trupin e saj.

Fatmirësisht, në kohën tonë errësira e tyre e ka më të vështirë të mbijetojë. Fjala udhëton më shpejt, dëshmia ruhet më gjatë, ndërgjegjja zgjohet më lehtë. Komunikimi, edukimi dhe lidhjet njerëzore e bëjnë më të vështirë grabitjen e së vërtetës. Sot përvetësuesi nuk ka përballë vetëm heshtjen e viktimës, por kujtesën e shumë njerëzve. Prandaj, detyra nuk është vetëm t’i dënojmë me fjalë, por t’i njohim me kohë. Sepse dëmi i tyre nuk qëndron vetëm në atë që marrin padrejtësisht, por në atë që helmojnë: besimin, rendin moral, ndjenjën e drejtësisë, vetë kuptimin e meritës.

Kur mashtruesi lihet të mbretërojë, shumë fillojnë të dyshojnë jo vetëm te njeriu, por edhe te vlera. Megjithatë, ky nuk është fundi i së vërtetës. Është fundi i tyre. Sepse e vërteta nuk ka nevojë të bërtasë për të mbetur. Ajo pret. Dhe kur vjen çasti, ndriçon mjaftueshëm sa për të treguar qartë kush ndërtoi, kush sakrifikoi, kush qëndroi besnik, dhe kush vetëm u përpoq të vishej me petkun e asaj që nuk i përkiste kurrë.