Kryeziu: Presidentja kishte detyrë kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është i bazuar në Kushtetutë dhe përbën detyrim kushtetues të institucionit të presidentit. Sipas tij, roli i presidentit në këtë pr...

Nacionale

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është i bazuar në Kushtetutë dhe përbën detyrim kushtetues të institucionit të presidentit.

Sipas tij, roli i presidentit në këtë proces është i qartë dhe i përcaktuar saktësisht me Kushtetutë.

“Me Kushtetutë, presidentja është autoriteti që ka për detyrë kushtetuese shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve… s’ka asnjë autoritet tjetër”, u shpreh Kryeziu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ai thekson se ky veprim nuk është çështje vullneti politik, por obligim kushtetues që duhet të zbatohet në rrethana të caktuara.

“Presidenti e ka bërë këtë jo që ka pasur të drejtë, por ka pasur detyrë. Veprimet tjera janë në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi ai shkruan Telegrafi.

Kryeziu vlerëson se çdo veprim tjetër që shmang këtë obligim nuk është në përputhje me rendin kushtetues.

“Nëse jo, veprimet tjera kanë qenë në disharmoni me Kushtetutën, sepse Kushtetuta nuk shkelet”, deklaroi ai.

Ai sqaron se shkeljet e Kushtetutës janë të rralla dhe ndodhin vetëm në raste specifike dhe serioze.

“Kushtetuta shkelet vetëm në raste specifike dhe ato quhen shkelje serioze”, tha Kryeziu.

Sipas ish-gjyqtarit, jo çdo individ mund të konsiderohet se e shkel Kushtetutën, por vetëm bartësit më të lartë të institucioneve shtetërore.

“Kushtetuta nuk mund ta shkelë çdokush… mund ta shkelë presidenti, kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme”, u shpreh ai./Telergafi/