Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kongresitit amerikan Eliot Engel, të cilin e ka cilësuar si një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.
Kurti ka theksuar se Engel, gjatë më shumë se tri dekadave në Kongresin amerikan, ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i çështjes së Kosovës dhe një zë i fuqishëm në institucionet amerikane.

“Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e Kosovës. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë, ku një vend të veçantë ka kongresmeni Engel”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Engel ka qenë ndër zërat e parë që ka mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, ndërsa mirënjohja për kontributin e tij do të mbetet e përhershme.
Kurti ka shprehur gjithashtu ngushëllime për familjen dhe miqtë e kongresmenit të ndjerë. /Telegrafi/





