Kriza për presidentin, Haxhiu: Zgjidhja varet nga vullneti politik – të shmangen zgjedhjet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për marrëveshje politike dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Në seancën e 5 marsit kam thënë se seanca ndërpritet e ...

Nacionale
Reklame

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për marrëveshje politike dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Në seancën e 5 marsit kam thënë se seanca ndërpritet e jo mbyllet. Pres që të ketë kërkesa, ftesa për takime nga kryetari i LVV-së për subjektet politike. Siç u njoftova, kryeministri ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ftesa për partitë politike, andaj uroj që këto debate e diskutime të çojnë deri tek një zgjidhje për çështjen e presidentit”, u shpreh Haxhiu.

Ajo theksoi rëndësinë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.

“Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse kemi humbur shumë”, tha ajo.

Sipas saj, çelësi i zgjidhjes është vullneti politik i palëve.

“Në raport me situatën aktuale e rëndësishme është vullneti. As Kushtetuta, as ndonjë ligj nuk parasheh situata të ndalimit të tërheqjes së kandidatit ose të nënshkrimeve, ose çka nëse shtohet edhe një, sepse e dini që më së shumti 4 kandidatë mund të jenë për president. Në këtë drejtim mendoj se nëse ka vullnet gjithçka është e mundshme”, theksoi kryetarja e Kuvendit.

Ajo përmendi edhe ftesat për takime nga kryeministri Albin Kurti dhe qëndrimet e partive opozitare.

“Kurti ka pasur ftesa edhe para se të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i ka ftuar LDK dhe PDK në takime, por Abdixhiku dhe Hamza nuk kanë pranuar të takohen, kanë thënë se do ta presin vendimin e gjykatës e më pas do të takohen. Zyrtarë të PDK-së kanë thënë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, të paktën të përpiqemi që ta gjejmë një zgjidhje. I lutem opozitës dhe të gjitha palëve që të jenë më konstruktivë”, u shpreh Haxhiu. /Telegrafi/