Kohëve të fundit, vendi është përballur me krizë të madhe energjetike, duke risjellë reduktimet për amvisëri e biznese. Krejt kjo situatë u arsyetua me konsum tejet të lartë të energjisë elektrike. Në lidhje me situatën e krijuar, mediat kërkuan të marrin informacione nga Ministria e Ekonomisë.
Në përgjigjen që gazetarja Altiana Zogaj ka marrë nga kjo ministri, thuhet se ata janë duke e zbatuar Strategjinë e Energjisë 2022–2031, e cila, sipas ME-së, përbën dokumentin bazë strategjik për zhvillimin e sektorit të energjisë dhe garantimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Kjo ministri theksoi se në kuadër të kësaj strategjie po vazhdojnë investimet kapitale dhe rehabilituese në kapacitetet ekzistuese me bazë linjiti, me synim rritjen e besueshmërisë operative të njësive të Termocentralit Kosova A dhe Termocentralit Kosova B.
Ministria thekson se gjatë vitit të kaluar, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka realizuar investimin më të madh në katër dekadat e fundit në sektorin e energjisë, përmes modernizimit të turbinës në bllokun B2. Ky investim, së bashku me ndërhyrje të tjera përcjellëse, tha ME, ka rritur kapacitetin e njësisë për rreth 35 megavat, ka zgjatur jetëgjatësinë e saj për 20 vjet dhe ka ndikuar në uljen e ndotjes.
“Gjatë këtij viti pritet të realizohet i njëjti investim edhe në Njësinë B1, së bashku me instalimin e filtrave që do të ulin ndjeshëm ndotjen. Poashtu, KEK-u ka ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm me fillimin e procedurave të kontraktimit për rehabilitimin e thellë të Njësisë A3, në vlerë prej 137 milionë euro, ku procesi i parakualifikimit ka përfunduar me sukses dhe tre konsorciume me përvojë kanë kaluar në fazën e mëtejme”, tha ME.
Sa i përket situatës aktuale me energjinë elektrike, Ministria e Ekonomisë tha se të gjitha ndërmarrjet e licencuara për prodhim, transmetim, shpërndarje dhe furnizim me energji elektrike “janë të obliguara të veprojnë në përputhje me kushtet e licencave përkatëse dhe legjislacionin në fuqi”.
Ministria tha po ashtu se “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e respektimit të kushteve të licencës”.
Në fund, Ministria e Ekonomisë tha se është e përkushtuar në zbatim të strategjisë së energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të energjisë për furnizim stabil me energji për konsumatorët dhe në dobi të zhvillimit ekonomik.


















