Barcelona pritet të hyjë në një fazë vendimtare gjatë afatit kalimtar veror, me drejtuesit e klubit që po shqyrtojnë shitjen e disa lojtarëve të ekipit të parë për të përmirësuar situatën financiare dhe për të rritur fleksibilitetin në afatin kalimtar.
Sipas raportimeve nga mediat katalanase, drejtori sportiv Deco ka qenë relativisht i kujdesshëm në lidhje me shitjet që nga ardhja e tij në klub, me largimin e Vitor Roque si një nga rastet e rralla që ka gjeneruar mbi 11 milionë euro.
Megjithatë, situata këtë verë duket ndryshe, Barcelona raportohet se është vetëm 11–12 milionë euro larg përmbushjes së limitit të pagave, një prag që do t’i lejonte klubit të përdorë plotësisht të ardhurat nga shitjet dhe kursimet për regjistrimin e lojtarëve të rinj.

Në pesë vitet e fundit, klubi ka qenë i kufizuar në përdorimin e rreth 60% të këtyre të ardhurave.
Marc Casado, i cili u konsiderua si një nga zbulimet e sezonit të kaluar nën drejtimin e Hansi Flick, ka parë një rënie të rolit të tij gjatë këtij sezoni.
Mesfushori 22-vjeçar madje debutoi edhe me kombëtaren e Spanjës pas paraqitjeve të mira kundër Bayern Munich dhe Real Madrid.
Megjithatë, mungesa e vazhdimësisë këtë sezon ka bërë që drejtuesit të konsiderojnë shitjen e tij, pavarësisht një kontrate që zgjat deri në vitin 2028.
Casado është lidhur me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, ndërsa është përmendur edhe si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Al-Hilal, që mund të ndikojë në të ardhmen e Joao Cancelo.
Në listën e largimeve potenciale është edhe Ferran Torres, sulmuesi spanjoll pati një vit pozitiv gjatë 2025, por forma e tij ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i këtij viti, duke mos gjetur rrugën e rrjetës që nga muaji janar.
Pavarësisht se ka marrë më shumë minuta se Robert Lewandowski, Torres nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e stafit teknik.
Me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, e ardhmja e tij në “Camp Nou” mbetet e pasigurt.
Interes për të kanë shfaqur klube të ndryshme, përfshirë Atletico Madrid si një opsion zëvendësues për Julian Alvarez, si dhe Inter Milan në skenarë të ndryshëm merkatoje që përfshijnë Alessandro Bastoni.
Pavarësisht spekulimeve, si Torres ashtu edhe Casado kanë shprehur dëshirën për të qëndruar në klub.
Në rastin e Torres, marrëdhënia e tij e afërt me Pedri është konsideruar si një faktor shtesë, por jo vendimtar për të ardhmen e tij.
Barcelona pritet të marrë vendime të rëndësishme në javët në vijim, teksa synon të balancojë financat dhe të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/





