Kriza aktuale e naftës dhe gazit është më e keqe se vitet 1973, 1979, 2002 së bashku – thotë shefi i IEA

Kriza aktuale e naftës dhe gazit e shkaktuar nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit është “më serioze se ato të viteve 1973, 1979 dhe 2002 së bashku”. Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), për gazetën Le Figaro. “Bota nuk ka përjetuar kurrë […]

Bota

Kriza aktuale e naftës dhe gazit e shkaktuar nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit është “më serioze se ato të viteve 1973, 1979 dhe 2002 së bashku”.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), për gazetën Le Figaro.

“Bota nuk ka përjetuar kurrë një ndërprerje të furnizimit me energji të një madhësie të tillë”, citohet të ketë thënë ai në një intervistë me gazetën franceze të botuar në numrin e së martës.

Ai tha se vendet evropiane, si dhe Japonia, Australia dhe të tjera do të vuajnë, por vendet më të rrezikuara janë vendet në zhvillim të cilat do të vuajnë nga çmimet më të larta të naftës dhe gazit, çmimet më të larta të ushqimeve dhe një përshpejtim i përgjithshëm i inflacionit.

Vendet anëtare të IEA-s ranë dakord muajin e kaluar të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike.

Disa nga këto ishin liruar tashmë dhe procesi vazhdon, tha Birol.

Kujtojmë se në reagim ndaj sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-të, Irani ka bllokuar pothuajse tërësisht trafikun në ngushticë, përmes së cilës rrjedh rregullisht rreth 20 përqind e naftës dhe gazit botëror, duke krijuar një rritje të çmimeve të energjisë. /Telegrafi/