“Krenar që kam veshur fanellën e Kosovës, kemi gjasa reale për Botëror”, ish-kapiteni Anel Rashkaj flet para duelit me Sllovakinë

Në një periudhë kur ëndrra për një kualifikim historik në Kupën e Botës po merr formë gjithnjë e më konkrete, zërat e atyre që kanë ndërtuar themelet e Kombëtares së Kosovës marrin një peshë të veçantë. Njëri prej tyre është edhe ish-kapiteni Anel Ra...

Sport

Në një periudhë kur ëndrra për një kualifikim historik në Kupën e Botës po merr formë gjithnjë e më konkrete, zërat e atyre që kanë ndërtuar themelet e Kombëtares së Kosovës marrin një peshë të veçantë.

Njëri prej tyre është edhe ish-kapiteni Anel Rashkaj, i cili në një intervistë për Telegrafin ka dhënë mendimin e tij për ciklin kualifikues të Kosovës dhe sfidat që na presin përpara.

Për Rashkajn, asgjë nuk është rastësi, pasi Kosova ka treguar vazhdimisht paraqitje të forta ndaj kundërshtarëve elitarë.

“Mendoj se ecuria ka qenë shumë e mirë. Kemi pasur rezultate të shkëlqyera ndaj kundërshtarëve të fortë dhe kjo nuk është rastësi, sepse e kemi treguar vazhdimisht në shumë ndeshje. Kjo tregon se ky cikël ka qenë në një nivel të lartë”, ka thënë Rashkaj fillimisht për Telegrafin.

Më 26 mars Kosova do të luajë ndeshjen e ‘play-off’-it ndaj Sllovakisë në Bratisllavë. Rashkaj beson se disiplina taktike e skuadrës dhe kualiteti që ‘Dardanët’ posedojnë në fazën e sulmit, mund të jenë vendimtar për të arritur finalen e madhe, e cila nëse arrihet sipas tij do të na vendosë përballë Turqisë.

“Gjasat janë të mira nëse vazhdojmë me disiplinën taktike dhe me kualitetin që kemi në fazën ofensive. Atëherë mendoj se kemi shumë mundësi”.

“Turqinë e shoh në anën tjetër në finale e cila është një kombëtare shumë e fortë, por nëse ne arrijmë në finale të cilën do ta luanim në Prishtinë, një ndeshje në shtëpi natyrisht që rrit ndjeshëm gjasat tona”.

I pyetur se ku duhet të ketë më shumë kujdes Kosova në këtë sfidë, Rashkaj tha se duhet të gjendet një ekuilibër mes fazës defensive dhe asaj ofensive.

“Duhet të vazhdojmë me disiplinën taktike. Mendoj se gjithmonë kemi pasur kualitet në fazën ofensive, por na ka munguar taktika në fazën defensive. Me këtë kombinim, mendoj se do të jetë e vështirë për kundërshtarët të na mposhtin”, vazhdoi ai.

Vite më parë 36-vjeçari kishte bërë të ditur se kishte refuzuar oferta nga Shqipëria dhe Suedia për ta përfaqësuar Kosovën. Sot, ai ndjehet krenar më shumë se kurrë më parë për këtë vendim që ka marrë.

“Jam shumë krenar për këtë vendim. Janë disa momente në jetë që bëhen historike dhe ti mund të bëhesh pjesë e tyre ose jo. Jam i lumtur që kam marrë këtë vendim, sepse nuk do t’i harroj kurrë emocionet sa herë e kam veshur fanellën e Kosovës”.

Për fund, ish-kapiteni i Kosovës pati edhe një mesazh për lojtarët që po hezitojnë ta pranojnë ftesën e Kosovës.

“Mesazhi im është që ka ardhur koha që të mos ketë më dyshime. Ndjenja kur e vesh fanellën e Kosovës nuk krahasohet me asnjë kombëtare tjetër, pa marrë parasysh sa e madhe të jetë ajo”, përfundoi ai./Telegrafi/