Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra nuk arriti të bëjë befasi përballë njërës prej superfuqive botërore të këtij sporti, Francës.
Në ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2026”, vajzat kosovare u mposhtën bindshëm me rezultat 44:17, në një duel ku diferenca në cilësi ishte e dukshme që nga fillimi.
Ky rezultat i thellë ishte në një farë mënyre i pritshëm, duke marrë parasysh nivelin e kundërshtarit, që konsiderohet ndër më të mirët në botë në hendbollin e femrave.

Për Kosovën, kjo ishte humbja e pestë në Grupin 1, duke i shuar përfundimisht shpresat për një kualifikim historik në Evropianin që do të mbahet nga 3 deri më 20 dhjetor në disa shtete evropiane.
Ndeshja e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë tregoi edhe një herë vështirësitë e përfaqësueses së Kosovës përballë ekipeve të nivelit të lartë.
Në fakt, ky cikël kualifikues kishte nisur pikërisht me një tjetër humbje të thellë ndaj Francës (43:12), duke reflektuar hendekun mes dy skuadrave.
Gjatë këtij rrugëtimi, Kosova nuk arriti të sigurojë asnjë fitore. Fillimisht u mposht nga Kroacia në Prishtinë me rezultat 32:22, më pas pësoi disfatë minimale në udhëtim ndaj Finlandës (23:21). Edhe në përballjen e kthimit ndaj Finlandës në kryeqytet, Kosova u mposht sërish, kësaj radhe me rezultat 29:27.
Sa i përket paraqitjes individuale në ndeshjen e fundit, Vanesa Kastrati ishte më e dalluara në radhët e Kosovës me gjashtë gola të shënuar.
Arona Krasniqi kontribuoi me tri gola, ndërsa Tina Hetemi shtoi dy të tjerë. Nga një gol realizuan Yllka Shatri, Mirjeta Dinolli, Ariona Dushica, Lorena Matarova, Alma Nivokazi dhe Angjelina Krasniqi.
Kosova do ta mbyllë këtë cikël kualifikues të dielën, me ndeshjen ndaj Kroacisë në Zagreb, duke synuar një paraqitje sa më dinjitoze përpara përfundimit të këtij edicioni./Telegrafi/





