Kosova është shumë afër të shënoj një moment historik për futbollin e saj, duke synuar kualifikimin për herë të parë në Kampionatin Botëror 2026.
Ndeshja e rëndësishme Sllovaki – Kosovë, e vlefshme për gjysmëfinalen e Play-Off-it të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026, do të transmetohet drejtpërdrejt në Sheshin“Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përmes një ekrani gjigant të vendosur për këtë rast.
Transmetimi publik do të realizohet nga KD Events & Communications, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Digitalb, Artmotion dhe Federatën e Futbollit të Kosovës(FFK), duke u dhënë mundësi mijëra tifozëve që ta ndjekin këtë përballje historike në një atmosferë të jashtëzakonshme sportive.

Ndeshja zhvillohet më 26 mars 2026, në stadiumin Tehelné pole në Bratislavë, me fillim nga ora 20:45, ndërsa një rezultat pozitiv për Kosovën do ta çonte përfaqësuesen tonë në finalen vendimtare të Play-Off-it, ku do të përballej me fituesin e ndeshjes Turqi -Rumani,për një vend në Kampionatin Botëror 2026.
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të kësaj ndeshjeje, organizatorët presin që sheshi në qendër të Prishtinës të mbushet me mijëra tifozë të cilët do të bashkohen për ta përkrahur Kosovën në këtë moment historik për sportin e vendit.
Me këtë organizim, KD Events & Communications vazhdon traditën e transmetimeve publike të ndeshjeve të mëdha të futbollit, duke sjellë përvojën e stadiumit në zemër të qytetit.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, ndërsa sheshi “Zahir Pajaziti” do të shndërrohet në një arenë të vërtetë tifozësh për ta përjetuar së bashku këtë ndeshje historike të Kosovës.





