Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027, duke u mposhtur nga Bosnjë-Hercegovina me rezultat 34:21 në Tuzla.
Përballja e zhvilluar në arenën “Mejdan” para rreth 2000 shikuesve nisi premtuese për Kosovën, e cila për rreth 40 minuta tregoi paraqitje solide si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Megjithatë, rënia e përqendrimit në pjesën e dytë u kushtoi shtrenjtë mysafirëve, duke i lejuar vendasit të shfrytëzojnë çdo gabim dhe të krijojnë epërsi bindëse.

Bosnjë-Hercegovina e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar avantazh prej pesë golash (10:5) pas 15 minutave lojë.
Megjithatë, Kosova reagoi mirë dhe arriti të stabilizojë lojën, duke e mbyllur pjesën e parë me vetëm dy gola disavantazh, çka mbante të hapur ndeshjen.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Jesper Ostlund nuk arriti të ruajë ritmin e lojës.
Gabimet e shumta dhe mungesa e përqendrimit u ndëshkuan nga kundërshtari, i cili thelloi rezultatin deri në fund për një fitore të sigurt.
Më i dalluari te Kosova ishte Drenit Tahirukaj, i cili realizoi gjashtë gola nga 14 tentime.
Nga tri gola shtuan Shaban Zogaj dhe Bujar Ramosaj, ndërsa me nga dy gola kontribuan Kastriot Jupa, Egzon Gjuka dhe Matej Taci. Nga një gol shënuan Valon Dedaj, Drilon Tahirukaj dhe Jon Muqolli.
Në portë, Haris Berisha regjistroi gjashtë pritje, ndërsa Olt Kabashi shtoi edhe dy të tjera./Telegrafi/





