Kosova i bashkohet aleatëve globalë kundër sulmeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit

Një grup i gjerë vendesh nga e gjithë bota, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Japoninë, Kanadanë, Kosovën dhe Shqipërinë, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët mbi Ngushticën e Hormuzit, duke dënuar su...

Nacionale

Një grup i gjerë vendesh nga e gjithë bota, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Japoninë, Kanadanë, Kosovën dhe Shqipërinë, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët mbi Ngushticën e Hormuzit, duke dënuar sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës civile në Gjirin Persik.

Në deklaratë, udhëheqësit shprehin shqetësim të thellë për përshkallëzimin e konfliktit dhe bëjnë thirrje që Irani të ndërpresë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, si dhe çdo përpjekje për të bllokuar kalimin e anijeve tregtare, duke iu referuar Rezolutës 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit,” thuhet në deklaratë. “Efektet e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në të gjithë botën, veçanërisht nga më të prekshmit.”

Deklarata thekson se ndërhyrja në transportin ndërkombëtar detar dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për këtë arsye, vendet pjesëmarrëse bëjnë thirrje për një moratorium të menjëhershëm gjithëpërfshirës ndaj sulmeve ndaj infrastrukturës civile, përfshirë instalimet e naftës dhe gazit.

Udhëheqësit gjithashtu shprehin gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për të siguruar kalim të sigurt nëpër Ngushticë dhe mirëpresin angazhimin e vendeve të tjera në planifikimin përgatitor. Ata e përshëndesin vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për lëshimin e koordinuar të rezervave strategjike të naftës dhe paralajmërojnë se do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të stabilizuar tregjet e energjisë, duke bashkëpunuar me vende prodhuese për rritje të prodhimit.

Deklarata gjithashtu garanton mbështetje për vendet më të prekura, duke përfshirë ndihmën përmes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Udhëheqësit theksojnë se siguria detare dhe liria e lundrimit janë në dobi të të gjitha shteteve dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Pas publikimit të deklaratës, një numër shtetesh, përfshirë Kanada, Republikën e Koresë, Zelandën e Re, Danimarkën, Letoninë, Slloveninë, Estoninë, Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Çekinë, Rumani, Bahrein, Lituani, Australi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugali, Trinidad e Tobago, Republikën Dominikane, Kroaci, Bullgari, Kosovë, Panamë, Maqedoni të Veriut, Nigeri, Mal të Zi dhe Shqipëri, konfirmuan se i janë bashkuar kësaj deklarate të përbashkët.

Deklarata shërben si një mesazh i qartë ndaj Teheranit dhe një sinjal se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të marrë masa për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe stabilitetin e tregjeve globale të energjisë./Telegrafi.