Kosova dy ndeshje larg historisë, Leart Paqarada: Mund ta mposhtim këdo kur jemi të bashkuar

Në futboll ka momente që shkojnë përtej rezultatit, momente që prekin historinë, identitetin dhe krenarinë e një vendi. Pikërisht një i tillë po afrohet për Kosovën, që ndodhet vetëm pak hapa larg realizimit të një ëndrre të madhe, kualifikimit në Ku...

Sport

Në futboll ka momente që shkojnë përtej rezultatit, momente që prekin historinë, identitetin dhe krenarinë e një vendi. Pikërisht një i tillë po afrohet për Kosovën, që ndodhet vetëm pak hapa larg realizimit të një ëndrre të madhe, kualifikimit në Kupën e Botës.

Por në këtë rrugëtim historik, një prej emrave më të rëndësishëm të skuadrës, Leart Paqarada, po e përjeton gjithçka nga një kënd tjetër. Pavarësisht dëshirës së madhe për të kontribuar në fushë, këtë po ia pamundëson fatkeqësisht një lëndim i pësuar në shtator të vitit të kaluar.

Në një intervistë për Telegrafin, mbrojtësi i Kombëtares ka folur hapur për ecurinë e ekipit, gjasat për sukses dhe sfidat personale që po përjeton, duke dhënë edhe mesazhe të forta për tifozët.

Duke u ndalur fillimisht te rrugëtimi në këtë cikël kualifikues, Paqarada e vlerëson pozitiv progresin e Kosovës, duke theksuar se skuadra ka ditur të reagojë pas një starti të vështirë dhe të ndërtojë vetëbesim nga ndeshja në ndeshje.

“Deri tani mendoj që kemi treguar një ecuri pozitive. Kemi filluar me një humbje të rëndë në Zvicër, mirëpo më pas ka pasur shumë momente të mira. Vetëbesimi është rritur nga ndeshja në ndeshje, kështu që humbja në lojën e parë ka mbetur e vetmja në kualifikime”.

Ai thekson se pikërisht ky zhvillim gradual i skuadrës është një nga arsyet pse sot ekziston një besim real se mund të arrihet diçka e madhe.

“Besoj që kemi gjasa reale për ta mposhtur Sllovakinë, mirëpo nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse është një kundërshtar i fortë, si ekip ashtu edhe individualisht. Por ne kemi treguar se mund të përballemi me çdo ekip kur jemi të bashkuar. Gjithashtu, kemi një përzierje të mirë në ekip ndërmjet lojtarëve të rinj me potencial dhe lojtarëve me shumë përvojë në nivel të lartë, si dhe një trajner që ka përvojë të madhe dhe ka qenë në situata të tilla”, ka thënë fillimisht Paqarada për Telegrafin.

“Fillimisht duhet të fokusohemi vetëm te ajo ndeshje. Nëse arrijmë të fitojmë, atëherë gjithçka është e mundur në finale, sidomos në stadiumin “Fadil Vokrri”, në shtëpinë tonë”.

Megjithatë, për Paqaradën kjo periudhë ka edhe një anë shumë personale dhe të dhimbshme. Lëndimi i rëndë e ka lënë jashtë fushës në një moment kur çdo futbollist do të donte të ishte pjesë e historisë.

“Sigurisht që është një moment shumë i rëndë për mua personalisht, mirëpo kam kontakt të vazhdueshëm me bashkëlojtarët. Do të jem aty, si në Bratisllavë ashtu edhe në Prishtinë”.

Ai foli gjithashtu për një temë që ka ngjallur interes të madh kohët e fundit, mundësinë që futbollistë si Arijon Ibrahimovic dhe Diant Ramaj t’i bashkohen Kosovës në të ardhmen e afërt. Duke qenë bashkëlojtarë me ta te Heidenheimi në Gjermani, Paqarada pranon se ka biseduar me ta, por respekton plotësisht vendimet e tyre personale.

“Sigurisht që kemi folur disa herë, sepse jemi bashkëlojtarë dhe kemi një raport të mirë. Normalisht që unë u tregoj sa e veçantë është të luash për Kosovën dhe çfarë do të thotë kjo për vendin tonë. Në fund, është një vendim personal për secilin prej tyre dhe duhet respektuar. Të dy janë djem të mirë që me siguri mund të na ndihmojnë në të ardhmen”, vazhdoi ai.

Në këtë moment të rëndësishëm për futbollin kosovar, mbështetja e tifozëve mbetet një faktor kyç sipas Paqaradës.

“Ne e ndiejmë energjinë dhe përkrahjen e tifozëve në çdo ndeshje dhe kjo na jep forcë shtesë. Është një gjeneratë me shumë potencial dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi. Besoj që në të ardhmen mund t’i sjellim shumë gëzim Kosovës”.

Në fund, ai ndalet te beteja e tij personale, rikuperimi nga një lëndim i rëndë në ligamentin e gjurit.

“Sigurisht që është koha më e vështirë e karrierës sime, sepse është një lëndim që kërkon kohë, durim dhe shumë punë. Mundohem të qëndroj i fortë, edhe pse ka faza kur nuk është e lehtë. E kam mbështetjen e ekipit, familjes dhe shokëve, që më ndihmon shumë. Sa i përket rikthimit, po e marr hap pas hapi dhe shpresoj që së shpejti të jem përsëri në fushë, më i fortë se më parë”, përfundoi 31-vjecari.

Kujtojmë se ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten nga ora 20:45. Një fitore do ta çonte Kosovën në finalen vendimtare, ku do të përballej me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Rumanisë./Telegrafi/