Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar lidhur me menaxhimin e rasteve të sëmundjeve infektive te gjedhët, konkretisht Bruceloza dhe Tuberkulozi.
Në njoftim bëhet e ditur se rasti i parë i konfirmuar është identifikuar më 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin administrativ përkatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) është duke vepruar brenda afateve ligjore të përcaktuara për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara.
Sipas dispozitave ligjore, eliminimi i kafshëve të konfirmuara me këto sëmundje realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit. Në këtë kuadër, të gjitha veprimet institucionale janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me këtë afat kohor, duke garantuar menaxhim të kontrolluar dhe të sigurt të situatës”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), mbeten të përkushtuara në zbatimin e plotë të masave ligjore dhe profesionale për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve, si dhe mbeten të përkushtuara në ruajtjen e shëndetit publik dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje të gjithë fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të raportojnë çdo dyshim për raste të ngjashme. /Telegrafi/




