Kompromisi i Kurtit për dokumentet e serbëve, analistët flasin për ndryshim në raportet me BE-në

Analistët Sadri Ramabaja dhe Imer Mushkolaj në Debat Plus të RTV Dukagjinit komentuan marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës për njohjen e dokumenteve të serbëve të lëshuara nga strukturat ilegale dhe për lejet e përkohshme të qëndrimit. Ramabaja vuri në...

Nacionale

Analistët Sadri Ramabaja dhe Imer Mushkolaj në Debat Plus të RTV Dukagjinit komentuan marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës për njohjen e dokumenteve të serbëve të lëshuara nga strukturat ilegale dhe për lejet e përkohshme të qëndrimit.

Ramabaja vuri në dukje se kjo tregon një ndryshim gradual në qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe përshëndeti veprimin e qeverisë si një shenjë burrështeti, duke respektuar interesat e qytetarëve dhe të komunitetit serb.

“Vetë është një fenomen: sa më stabil dhe funksional është shteti, më komod është (Albin Kurti) edhe në ndjekjen e individëve ose grupeve që veprojnë jashtë ligjshmërisë. Edhe më i kujdesshëm, edhe më bashkëpunues”, ka thënë ai.

Ai pretendon se Bashkimi Evropian ka filluar të bëjë një “ndryshim gradual”. “Ka një ndryshim gradual edhe në qëndrimin e Brukselit në raport me Kosovën. Para sa ditësh kishim edhe largimin e fusnotës në një komitet bukur të rëndësishëm, sinjifikativ, domethënës se gradualisht politika e Bashkimit Evropian ka filluar të ndryshojë. Sinjalet janë pozitive. Ato sinjale, për fat të mirë, qeveria i ka lexuar mirë, qartë, drejt dhe ka vepruar konform interesit të republikës”.

Mushkolaj theksoi se kryeministri Albin Kurti ka lëshuar pe për disa çështje të integrimit të arsimit dhe shëndetësisë, duke dhënë mundësi për regjistrim 12-mujor për komunitetin serb.

“Duke lëshuar pe për këtë 12 muajsh që të regjistrohen të huajt në këtë sistemin online që ka bërë. Albin Kurti ka lëshuar pe edhe për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë. Nuk mundesh me integru arsimin dhe shëndetësinë duke i pasur këto problemet me dokumentet”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Mushkolajt, Kurti ka lëshuar pe dhe ka bërë shumë mirë që e ka dhënë mundësinë prej 12 muajsh për regjistrim.

ndërkohë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, mirëpriti marrëveshjen, duke theksuar se respekton kornizën ligjore të Kosovës dhe siguron zgjidhje praktike për të gjithë komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në vend.

Vendimi i Qeverisë, i bërë publik pas takimit mes kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, parashikon njohjen e lejeve të përkohshme të qëndrimit dhe dokumenteve të komunitetit serb, duke nisur zbatimin e plotë të ligjit nga 15 marsi 2026./Telegrafi/