Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Hazir Haziri është liruar nga autoritetet e Serbisë, pas mbajtjes në paraburgim që nga 8 shtatori 2025, kur ishte arrestuar në pikën kufitare në Merdarë.
Në një postim publik, Koci ka theksuar se lirimi i Hazirit konfirmon se arrestimi i tij ka qenë i pabazuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të pambështetura në fakte. Sipas tij, ky rast dëshmon nevojën e domosdoshme që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit.
Avokati Koci ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e tij profesional dhe njerëzor që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja shëndetësore e Hazir Hazirit është e mirë.
















