Të premten mbrëma, dritat e Cineplexx Kosova u fikën pak më ndryshe se zakonisht: jo vetëm për të hapur një tjetër shfaqje filmi, por për të shënuar një moment të veçantë për kinemanë shqiptare. Në një atmosferë gala, mes shumë të pranishmëve dhe figurave publike, u dha premiera e filmit “Policë për jetë” – një ngjarje që mori vëmendje të madhe edhe për një arsye tjetër të rëndësishme.
Ky projekt vjen si filmi i parë shqiptar që shfaqet në formatin IMAX, duke e ngritur përjetimin vizual dhe ritmin e aksionit në një nivel tjetër, në një sallë ku çdo detaj duket më afër dhe çdo skenë ndihet më e madhe.
Në ambientin e mbushur me të ftuar, duartrokitjet dhe reagimet gjatë shfaqjes krijuan përshtypjen e një pritjeje pozitive: filmi pati impakt të mirë te publiku, duke sjellë energji, humor dhe tension filmik në të njëjtën kohë.

Filmi sjell një histori me ritëm të shpejtë, ku ndërthuren komedia dhe aksioni: gjatë një mbrëmjeje gala luksoze, një objekt me vlerë të jashtëzakonshme vidhet nga një hajdut i famshëm dhe misterioz. Dy detektivë problematikë, por jashtëzakonisht efektivë – Xhino dhe Maksimilian – detyrohen të bashkojnë sërish forcat për ta zgjidhur rastin. Por hetimet e tyre të “çmendura” zbulojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për një grabitje të zakonshme, pasi objekti i vjedhur fsheh një sekret të errët që mund të trondisë gjithë vendin.
Në rolet kryesore janë Nik Xhelilaj, Olsi Bylyku dhe prezantuesja e këngëtarja Luana Vjollca, e cila në këtë projekt vjen me një rol që po ngjall kureshtje te publiku.
“Magjia e kinemasë” sjell për herë të parë si aktore Luana Vjollcën
Luana Vjollca (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
Luana Vjollca, e cila vjen si një nga risitë e këtij filmi, u shpreh se për të ka qenë një përvojë e veçantë dhe se nuk e kishte menduar që do ta shijonte kaq shumë punën në film.
“Ka qenë një eksperiencë fantastike… nuk mendoja që mund ta gëzoja ose të kënaqesha kaq shumë nga industria e filmit, por qenka sfidë më vete. Thonë ‘magjia e kinemasë’ – nuk është magjia e televizionit. Kanë të drejtë”, u shpreh ajo për Telegrafin.
E pyetur me humor për paraqitjen e saj në film, Luana ia la “vlerësimin” kolegut të saj në kast: “Si isha në film? Këtu ta tregon Niku”, tha ajo.
Nik Xhelilaj për Luanën: “Ka qenë… mashallah”
Luana Vjollca dhe Nik Xhelilaj (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
Aktori Nik Xhelilaj nuk hezitoi t’i japë një koment pozitiv para kamerës së Telegrafit, duke e vlerësuar performancën e Luanës.
“Jo, jo… e ka qenë, e ka qenë. Mashallah…”, tha ai, duke shtuar se filmi sjell elemente të ndërthurura mirë dhe ritëm që e mban publikun të angazhuar.
Ai la të kuptohet se në film është punuar për një miks më të gjerë zhanresh dhe për skena që shkojnë përtej komedisë së zakonshme, duke përmendur edhe dinamikën e personazheve dhe aspektin e aksionit.
Regjisori Aldo Marku: Më shumë aksion, më shumë sfidë
Aldo Marku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
Regjisori Aldo Marku tregoi se realizimi i filmit ka pasur sfida të shumta, sidomos për shkak të kushteve të xhirimeve, por edhe për shkak të natyrës së skenave të aksionit.
Ai tha se, krahasuar me projektin e parë, këtë herë kanë synuar ta çojnë filmin “në një nivel tjetër”, duke punësuar edhe një ekip të specializuar nga Norvegjia për koordinimin e skenave të aksionit dhe akrobacive.
Aldo Marku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
“Ka qenë sfidë pa fund… por ia kemi arritë. Filmi ka dalë shumë i mirë, jemi kënaqur të gjithë. Kasti ka qenë fantastik…”, u shpreh ai, duke veçuar edhe Luanën si “risi” dhe “surprizë” të filmit.
Sipas tij, filmi ofron një kombinim që e bën të përshtatshëm për një mbrëmje argëtuese me shoqërinë: “Nëse doni të kaloni një orë e gjysmë me humor, aksion dhe një histori interesante që na bashkon si popull Shqipëri–Kosovë…”, tha regjisori, duke shtuar se në film preken edhe tematika si korrupsioni, problemet sociale dhe bandat, të trajtuara në formë narrative dhe argëtuese.
Premiera në Cineplexx Kosova shënoi një tjetër ndalesë të rëndësishme për filmin “Policë për jetë”, ndërsa publiku tashmë pritet ta vlerësojë në sallat e kinemasë. /Telegrafi/
Fotografi të tjera nga premiera e “Policë për Jetë” në Cineplexx Kosova:





