Aktorja hollivudiane Kate Hudson tërhoqi gjithë vëmendjen në tapetin e kuq me një paraqitje glamuroze, duke veshur një fustan elegant të Armani Privé dhe një gjerdan spektakolar me më shumë se 41 karatë diamante të rralla jeshile
Aktorja hollivudiane Kate Hudson u kujdes që paraqitja e saj në ceremoninë e këtij viti të Oscars të mos kalonte pa u vënë re. Ajo shkëlqeu në tapetin e kuq me një stil glamuroz që menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikëve të modës dhe publikut.
Hudson u shfaq me një fustan luksoz të Armani Privé në nuancë jeshile të errët, me një prerje që theksonte linjat e trupit dhe elegancën e saj. Por elementi që dominoi pamjen ishte padyshim gjerdani spektakolar me më shumë se 41 karatë diamante të rralla jeshile, nga shtëpia e njohur e bizhuterive Garatti.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve të bizhuterive, vlera e këtij stoli kalon 30 milionë euro, që e bën një nga aksesorët më të shtrenjtë të parë në tapetin e kuq të Oscars. Për shkak të vlerës së jashtëzakonshme, bizhuteria ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme të sigurisë gjatë gjithë mbrëmjes.
Pamja e aktores u plotësua edhe me një manikyr të veçantë, të realizuar me llakun nga koleksioni Liquid Diamonds i markës Essie, i cili përmban grimca të imta që krijojnë efekt shkëlqimi si pluhur diamanti. Manikyri u krijua nga stilistja e njohur Brittney Boyce, e cila punon edhe me yje si Megan Fox dhe Kim Kardashian, transmeton Telegrafi.
Në thonjtë e saj u përdor nuanca me shkëlqim Drip Drip, e kombinuar me një ton të butë rozë dhe një shtresë përfundimtare me shkëlqim, duke krijuar një efekt elegant dhe natyral.
Grimi ishte diskret, me theks te bukuria natyrale, ndërsa flokët ishin stilizuar në valë të lehta me ndarje anësore, duke i dhënë pamjes një elegancë klasike.
Këtë vit Kate Hudson ishte e nominuar për çmimin Aktorja më e mirë për rolin e saj në dramën muzikore Song Sung Blue. Edhe pse në fund nuk e fitoi statujën e artë, paraqitja e saj glamuroze mbeti një nga momentet më të komentuar të mbrëmjes.
Një gjë është e sigurt: edhe pa Oscar në dorë, Kate Hudson ishte një nga yjet më të ndritshme të tapetit të kuq.





