Aktorja Kate Beckinsale ka deklaruar se është pushuar nga agjentja e saj pasi kishte pëlqyer (bërë like) një postim për armëpushim në Gaza, ndërsa pretendon se Mark Ruffalo, me të cilin ndante të njëjtën agjenci/agjent, e ka injoruar kur ajo u përpoq ta kontaktonte. Beckinsale i bëri këto akuza në komentet poshtë një postimi të Ruffalos, ku ai po promovonte filmin e ri “Palestina 36”.
Sipas pamjeve të publikuara nga Entertainment Weekly, Beckinsale e kritikoi Ruffalon që nuk iu përgjigj pasi ajo thotë se u pushua nga puna. “Duhet të jetë bukur kur agjenti nuk të pushon sepse ke pëlqyer një postim për armëpushim dhe sepse nuk je pro vrasjes së fëmijëve”, shkroi ajo.
Më pas, Beckinsale shtoi edhe një deklaratë më të ashpër, duke e lidhur situatën me pabarazinë gjinore në industrinë e filmit: “Me sa duket në Hollywood vlen shumë të kesh penis, sepse ty nuk të pushoi e njëjta agjente që e kishim të përbashkët. Madje, ajo më kishte dërguar një dhuratë një javë më parë, kështu që nuk kishim asnjë problem. Por unë pëlqeva një postim për armëpushim dhe u pushova po atë ditë si Susan Sarandon, dy ditë pasi përfundoi greva, pas nëntë muajsh gjatë të cilëve askush nga ne nuk mund të punonte”.

Aktorja i referohej grevës së aktorëve në Hollywood, e cila zgjati nga korriku deri në nëntor të vitit 2023. Ndërkohë, Susan Sarandon ka folur edhe më herët publikisht se është vendosur në “listë të zezë” në Hollywood për shkak të qëndrimeve të saj.
Beckinsale shpjegoi se në kohën kur u pushua po përballej edhe me një situatë të rëndë familjare. Ajo thotë se sapo kishte mësuar se nënës së saj, Judy Loe, për shkak të një tumori në tru i kishin mbetur vetëm “gjashtë javë jetë”. Në të njëjtën periudhë, njerku i saj, Roy Battersby, kishte pësuar një “goditje katastrofike në tru”, ndërsa vuante edhe nga “dy lloje kanceri”, dhe ajo ishte kujdestarja e të dyve.
Ajo shtoi se goditja në tru dhe kanceri më pas çuan në vdekjen e njerkut. “Po përgatitesha të fluturoja në Angli për ta marrë që të mund të kujdesesha plotësisht për të, dhe pastaj mora pushimin nga puna në dy fjali. Kjo ndodhi pas 12 vitesh miqësi me agjenten time dhe tënden, e cila është shumë e lidhur me prindërit e saj të moshuar dhe patjetër e dinte çfarë po kaloja”, shkroi Beckinsale.
Edhe pse nuk e përmendi me emër agjenten, Beckinsale tha se disa muaj më parë kishte tentuar t’i dërgonte Ruffalos një mesazh privat, por ai e kishte injoruar. Në një koment tjetër, ajo shtoi se e ka pranuar që ai nuk iu përgjigj, duke ia atribuar këtë asaj që e quajti “privilegj mashkullor”, që sipas saj mund të shihet “edhe te djemtë e mirë”.
“Është e qartë që nuk kam marrë përgjigje. Unë vërtet e mbështes Mark Ruffalon dhe gjithçka që bën, por jo – nuk do të marr përgjigje as këtu, as kurrë”, shkroi ajo, duke shtuar se nuk e fajëson personalisht aktorin, por se është diçka që e “vëren” shpesh në përgjithësi. /Telegrafi/





