Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se po bëhet gjithçka për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin që të kërkojnë një zgjidhje diplomatike për luftën aktuale.
“Sipas disa deklaratave atje, nuk na rezulton qartazi dimensioni strategjik”, tha Merz.

“Paqja kërkon gatishmëri nga të gjitha palët – përfshirë edhe Iranin – dhe momentalisht kjo gatishmëri nuk duket”, shtoi ai.
Në një veçori të shquar, kancelari shmangu etiketat e zakonshme si “regjim terrorist” ose “regjim mullahësh” kur foli për Iranin, duke përdorur thjesht termin neutral “Iran”. Ndërkohë, ai e përshkroi qeverinë ruse si “regjimi i Moskës”.
Pak ditë pas fillimit të kësaj lufte – një rastësi kohore, sipas tij – Merz bisedoi me presidentin amerikan, Donald Trump në Uashington dhe shprehu shqetësimet e tij.
Ai shtoi se të dielën e kaluar pati një bisedë telefonike më të gjatë me Trumpin, ku theksoi rreziqet që kjo luftë paraqet për ekonominë globale dhe mundësitë që krijon për regjimin në Moskë për të vazhduar luftën kundër Ukrainës. /Telegrafi/





