Jordi Alba tregon se çfarë fshihet pas momentit ikonik të Leo Messit në “Santiago Bernabeu”

Jordi Alba ka zbuluar një detaj të panjohur deri më tani nga një prej momenteve më ikonike në historinë e Barcelonës, kur Lionel Messi ngriti fanellën e tij para tifozëve të Real Madrid në “El Clásico” të vitit 2017, e cila u fitua nga katalnasit me rezultat 3-2. Në një rrëfim të sinqertë, Alba tregoi […]

Sport

Jordi Alba ka zbuluar një detaj të panjohur deri më tani nga një prej momenteve më ikonike në historinë e Barcelonës, kur Lionel Messi ngriti fanellën e tij para tifozëve të Real Madrid në “El Clásico” të vitit 2017, e cila u fitua nga katalnasit me rezultat 3-2.

Në një rrëfim të sinqertë, Alba tregoi se reagimi i Messit nuk ishte i rastësishëm, por erdhi si pasojë e ofendimeve të rënda që argjentinasi kishte marrë gjatë ndeshjes në “Santiago Bernabeu”.

“Jo shumë njerëz e dinë pse Messi e ngriti fanellën atë natë. Gjatë ndeshjes pati brohoritje dhe ofendime ndaj tij, madje e quajtën invalid dhe xhuxh. Kjo nuk i pëlqeu aspak”, u shpreh Alba.

Sipas mbrojtësit spanjoll, tensioni kishte filluar që në pjesën e parë. Në dhomat e zhveshjes, Messi kishte reaguar me zemërim ndaj situatës dhe kishte diskutuar me Luis Suarez për sjelljen e tifozëve.

“Ai ishte shumë i nervozuar dhe tha se njerëz të tillë nuk i përkasin futbollit. Fatkeqësisht, ofendimet vazhduan edhe në pjesën e dytë”, shtoi Alba.

Gjithçka kulmoi në fundin dramatik të ndeshjes, kur Messi shënoi golin e fitores për Barcelonën. Menjëherë pas golit, ai iu afrua tribunës së tifozëve vendas dhe ngriti fanellën e tij, duke krijuar një nga imazhet më të paharrueshme në historinë e futbollit.

“Sapo shënoi, ai i heshti të gjithë. Ishte si të thoshte: ‘Mbani mend emrin tim’”, përfundoi Alba.

Ky moment mbetet një nga simbolet më të fuqishme të karakterit dhe madhështisë së Messit, duke treguar se si ai dinte të përgjigjej në mënyrën më të mirë – në fushën e lojës. /Telegrafi/