Jon Jones shpërthen ndaj drejtuesve të UFC-së pas lajmit për eventin në Shtëpinë e Bardhë

Një nga luftëtarët më të mëdhenj në historinë e UFC-së, Jon Jones, ka kritikuar publikisht drejtuesit e organizatës pas raportimeve se ai nuk do të jetë pjesë e një eventi të mundshëm të UFC-së në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i UFC-së, Dana White, deklaroi se Jones nuk ka qenë kurrë në planet për të luftuar në atë event dhe shtoi se situata është e qartë.

“Është shumë e drejtë të thuhet se Jones në fakt është tërhequr”, ka thënë White.

Pas kësaj deklarate, Jones reagoi në rrjetet sociale me disa postime në platformën X, të cilat më vonë i fshiu.

Në to ai la të kuptohej se negociatat me UFC-në kishin qenë të pakuptimta.

“Pra, duhet t’i pranoj publikisht të gjitha ato negociata si komplet marrëzi?”, shkroi Jones duke shtuar më pas edhe pyetjen: “A jam pushuar nga UFC?”.

Në disa postime të tjera ai përshkroi edhe gjendjen e tij emocionale pas lajmit se nuk do të marrë pjesë në event.

“Sa e dhimbshme është kjo. Po qëndroj shtrirë në shtrat dhe po përpiqem të kuptoj këtë perceptim. E vetmja gjë që më vjen në mendje është sa shumë më dhemb kjo situatë”, shkroi Jones.

Situata bëhet edhe më konfuze pasi vetëm një javë më parë, gjatë një takimi me fansat në New Hampshire, Jones kishte deklaruar se ishte “në negociata me UFC-në” për një luftë të mundshme në atë event.

Megjithatë, Dana White e mohoi këtë, duke thënë se Jones ishte informuar më herët se një përballje e tillë nuk do të realizohej.

Si arsye ai përmendi reputacionin e luftëtarit si të paparashikueshëm, për shkak të problemeve të shumta jashtë kafazit dhe disa rasteve të mëparshme të dështimit në testet antidoping.

Kjo përplasje publike ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth të ardhmes së Jon Jones në UFC. /Telegrafi/