Joan Laporta i përgjigjet Xavit: Me lojtarët që ai kishte Hansi Flick po fiton trofe

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ndaj deklaratave të forta të Xavi Hernandez, të cilat kanë tronditur klubin dhe mund të kenë ndikim edhe në zgjedhjet e ardhshme për drejtimin e klubit.

Gjatë fundjavës, Xavi dha një intervistë ku pretendoi se shkarkimi i tij në verën e vitit 2024 nuk ishte vendim i drejtpërdrejtë i Laportas, por i këshilltarit të tij Alejandro Echevarria, për të cilin ai tha se po e drejton klubin nga prapaskena.

Në një debat presidencial me rivalin Victor Font, Laporta reagoi ndaj këtyre akuzave dhe i mohoi kategorikisht ato, duke mbrojtur gjithashtu vendimin për largimin e Xavit.

“Më lëndoi. Kur i pashë këto deklarata mendova për Flick. Është e vështirë të jesh president, sepse duhet të marrësh vendime të vështira. Me Xavin pashë se do të vazhdonim të humbnim nëse ai qëndronte, dhe më qetëson të shoh se si kanë shkuar gjërat që prej largimit të tij. Të njëjtët lojtarë që humbnin me Xavin, tani fitojnë me Flick”.

Laporta sugjeroi gjithashtu se pas deklaratave të ish-trajnerit mund të qëndrojnë interesa të tjera, duke përmendur indirekt rivalin e tij në garën për presidencën e klubit.

“Ajo që më dhemb është se njerëz janë përdorur për të më sulmuar, madje edhe dikush nga rrethi im i besimit si Echevarria. Ata e mbrojtën atë edhe kur ishte e pafalshme që të vazhdonte, madje edhe Yuste. Xavi dëshiron të krijojë kaos, por pas tij është dikush që po tërheq fijet, dhe unë mendoj se është Victor Font. Ai po përpiqet ta ndotë këtë proces zgjedhor. Madje i leverdis që një anëtar të paraqesë ankesa të mbushura me gënjeshtra dhe shpifje. Është një stil që nuk më pëlqen”.

Presidenti i Barcelonës hodhi poshtë edhe pretendimin e Xavit se ai kishte refuzuar rikthimin e Lionel Messit në vitin 2023 për shkak të frikës nga një përplasje për pushtet me ikonën e klubit.

“Ne kemi propozuar që të bëjmë një statujë për Messin dhe të organizojmë një ndeshje homazh kur stadiumi të përfundojë. Kur Messi nuk mund të rinovonte për arsye financiare, Xavi erdhi tek unë në vitin 2023 dhe më tha se ai dëshironte të rikthehej. Kjo ishte në mes të marsit. Në maj, Jorge Messi më tha se do të ishte shumë presion dhe se ata preferonin të shkonin te Inter Miami”./Telegrafi/