Jo vetëm Marcus Rashford, Manchester United planifikon edhe tri shitje tjera

Manchester United po planifikon një verë shumë aktive në merkato, me synimin për të afruar edhe tre lojtarë të tjerë pas largimeve të mëdha që priten në skuadër. Klubi anglez kishte planifikuar tashmë afrimin e një mesfushori të ri, dhe pas vendimit të Casemiro për t’u larguar, prioritet është bërë Elliot Anderson. Gjithashtu, pritet të […]

Sport

Manchester United po planifikon një verë shumë aktive në merkato, me synimin për të afruar edhe tre lojtarë të tjerë pas largimeve të mëdha që priten në skuadër.

Klubi anglez kishte planifikuar tashmë afrimin e një mesfushori të ri, dhe pas vendimit të Casemiro për t’u larguar, prioritet është bërë Elliot Anderson. Gjithashtu, pritet të vijë edhe një sulmues për të mbështetur Benjamin Sesko, ndërsa përforcime mund të bëhen edhe në krahët e mbrojtjes.

Megjithatë, fokusi nuk është vetëm te afrimet. “Djajtë e Kuq” synojnë të shesin disa lojtarë për të balancuar skuadrën dhe për të liruar hapësira në listë.

Marcus Rashford dhe Rasmus Hojlund janë ndër largimet kryesore. Për Rashfordin vazhdon interesimi nga Barcelona, ndërsa Hojlund është shumë pranë një transferimi të përhershëm te Napoli për rreth 38 milionë funte, nëse plotësohen disa kushte si kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia pritet të largohen si lojtarë të lirë, me një rikthim të mundshëm të Sanchos te Borussia Dortmund.

Në dalje është edhe portieri Andre Onana, aktualisht i huazuar te Trabzonspor. Edhe pse klubi dëshiron ta shesë, dëshira e tij për të luftuar për vendin mund ta komplikojë situatën.

Klubi anglez synon gjithashtu të largojë Manuel Ugarte dhe Joshua Zirkzee, të cilët nuk kanë arritur të lënë gjurmë në “Old Trafford”. Ugarte, i transferuar për mbi 50 milionë euro nga Paris Saint-Germain, nuk ka bindur, ndërsa Zirkzee ka vetëm pesë gola në kampionat dhe pak minuta këtë sezon.

Pavarësisht kësaj, të dy lojtarët janë të gatshëm të qëndrojnë dhe të luftojnë për një vend në ekip, por drejtuesit janë të hapur për shitje nëse vijnë oferta të mira.

Me rikthimin e Michael Carrick si trajner i përkohshëm, Manchester United ka ngjitur në vendin e tretë dhe synon të vazhdojë formën e mirë në ndeshjen e radhës kundër Leeds United./Telegrafi/