Gjiganti amerikan i teknologjisë Nvidia ka njoftuar rikthimin e Jensen Huang në postin e presidentit dhe drejtorit ekzekutiv (CEO), pas një vendimi unanim të Bordit të Drejtorëve.
Huang rikthehet gjithashtu si anëtar i bordit, më pak se dy javë pas dorëheqjes së tij, që erdhi mes raportimeve se ishte shënjestruar nga një operacion i huaj i inteligjencës.
Sipas kompanisë, vendimi u mor pas disa takimeve me Huang dhe konsultimeve me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane, të cilat e bindën bordin se rikthimi i tij nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

“Bordi beson se Jensen është personi i duhur për të udhëhequr Nvidia-n dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve”, deklaroi kryetari i bordit, Harvey C. Jones.
Huang e mirëpriti vendimin, duke u shprehur i gatshëm të rifillojë punën.
“Jam i nderuar që rikthehem në Nvidia për të udhëhequr një nga kompanitë më të rëndësishme teknologjike në botë, në fillim të një revolucioni të ri industrial”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Colette Kress, e cila drejtoi përkohësisht kompaninë, do të vazhdojë detyrën e saj si drejtoreshë financiare.
Nvidia ka theksuar se hetimi i pavarur lidhur me raportimet për përpjekjet e inteligjencës së huaj ndaj Huang do të vazhdojë deri në përfundim.
Kompania po forcon gjithashtu mekanizmat e mbikëqyrjes së sigurisë kombëtare dhe kontrollit të eksporteve, ndërsa do të krijojë një pozitë të re drejtuese për mbikëqyrjen e përputhshmërisë me rregullat. /Telegrafi/





