Java e 26-të e Albi Mall Superligës së Kosovës sjell një program të ngjeshur këtë fundjavë, me dy derbi dhe ndeshje që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen tabelare dhe garën për objektiva sezonale.
Në përballjen e parë të ditës së sotme, Prishtina pret Ballkani në një derbi të madh dhe duel mjaft interesant.
Prishtina synon të rikthehet te rezultatet pozitive para tifozëve të saj, ndërsa Ballkani, si një nga ekipet më të forta të viteve të fundit, kërkon të vazhdojë serinë e rezultateve të mira dhe të mbajë presionin në krye të tabelës.

Kjo përballje që do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali nga ora 13:00 pritet të jetë e luftuar dhe me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat.
Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Ferizaj përballet me Drenica. Të dy ekipet kanë nevojë për pikë jetike, duke e bërë këtë takim shumë të rëndësishëm për objektivat e tyre në kampionat.
Ferizaj synon të shfrytëzojë terrenin vendas, ndërsa Drenica kërkon të marrë një rezultat pozitiv për të përmirësuar pozicionin në tabelë.
Ndërkohë, nesër do të zhvillohen edhe tri ndeshje tjera: derbi Gjilani-Drita, Dukagjini – Prishtina e Re dhe Malisheva – Llapi. /Telegrafi/





