Mbi 55 vjet karrierë me më shumë se 12 mijë vepra arti. Krijimtari e pandërprerë.
Ekspozita personale e kolektive, brenda dhe jashtë vendit nga piktori akademik profesori i artit, Isa Alimusaj.
Veprat e tij janë të ndara me cikle dhe të gjitha janë me mesazh.

Një nga ciklet më të njohura të krijimtarisë së tij është “Profilet Dardane”, që pasqyron angazhimin e tij të thellë me trashëgiminë dhe identitetin kosovar.
Krijimtarinë e tij ai e ka mbledhur në shtëpinë e tij të shndërruar në muze arti në fshatin Strellc të Epërm të Deçanit.
Në një intervistë për emisionin RADAR në Radio Dukagjini, profesor Alimusaj tha se ky cikël është krejtësisht i veçantë.
“Dallon edhe në psikologji, edhe si vlerë, në çdo pikëpamje është ndryshe prej trendeve, përkushtimi im personal është absolut”, tha ai.
Frymëzimi më i madh i tij është sakrifica e popullit shqiptar.
“Jeta jonë është frymëzim, ka qenë dhe mbetet, ne si popull i dorës së dytë, dorës së tretë, kemi qenë të injoruar, këtu ka qenë nxitja ime personale për krijimtarinë time. E kam detyruar vetën ta kem porosi permanente çështjen kombëtare, çështjen time jetësore, sepse jam i këtij kombi dhe nuk mund të jem indiferent ndaj vlerave që kemi, këto vlera janë burim i pashtershëm”, tha ai.
Punimet e profesor Isa Alimusaj janë ekspozuar gjerësisht në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Evropës.
Përveç mbi 12 mijë veprave që i numëron në muze, profesor Alimusaj ka pothuajse po aq vepra në vende të ndryshme të botës të cilat i ka ekspozuar dhe shitur.
Ai mbetet një figurë qendrore në artin kosovar.





