hefja e re e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Iskra Haxhivasileva brenda dy javësh duhet ta marrë funksionin zyrtarisht, ndërsa paralajmëron se menjëherë do t’i përveshë krahët për gjithçka që ka premtuar, duke nisur nga çështjet organizative e deri te efektiviteti i ndjekjeve penale.
Haxhivasileva garanton se do të mbetet imune ndaj trysnive dhe do t’i inkurajojë kolegët që të mos bien pre e tyre. E pyetur se si do të vepronte në rast se intervenon kryeministri, Haxhivasileva thotë se do t’i përmbahej Kushtetutës.
“Shihni, organet dhe institucionet nuk është kontestuese të bashkëpunojnë dhe ajo është sipas të gjitha gjasave gjithashtu diçka që është e natyrshme, logjike dhe e natyrshme dhe ndodh gjithkund. Nëse mendoni për ndonjë intervenim ose urgjencë, ajo është më tjetër çështje dhe kuptohet se ne qëndrojmë sipas Kushtetutës në fund të ditës, të pavarur. Dhe vendosim në bazë të të drejtës, fakteve dhe provave”, tha Iskra Haxhivasileva, Shefe e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
Çështja e ndikimeve të jashtme, e sidomos atyre politike në vazhdimësi është kritikuar për disa lëndë me interes të lartë publik të cilat i udhëheqë Prokuroria. Përplasje të tillë kishte për rastin e njohur “Mazuti”, i cili u mbyll nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë kohës kur udhëhiqej nga Islam Abazi.
Në këtë rast të dyshuar ishin pronari i “Pucko Petroll”, Asmir Jahoski, pronarët e kompanisë “RKE” Erxhan Sulkovski dhe Ratko Kapushevski, përfshi edhe ish drejtorin e Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski i cili aktualisht ndodhet në arrati, por edhe ish drejtori Ardian Muça.
Për mbylljen e këtij rasti, kryeministri kritikoi Prokurorinë me tone të ashpra, ndërsa në fokus të goditjes kishte Abazin, të cilin e kishte etiketuar gjatë katër viteve si shërbëtor të BDI-së.
Megjithatë, kryeministri duke treguar se ka qenë i tronditur me mbylljen e hetimit, tregoi se për këtë ka biseduar nëpërmjet telefonit me kryeprokurorin Nenad Saveski, i cili paraprakisht u votua në Kuvend nga shumica parlamentare OBRM-PDUKM-VLEN./Alsat/