Ish-shefi i OSBE-së në Bujanoc pranon diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Një artikull i publikuar në platformën ndërkombëtare Peacefare, me titull “A Pattern of Quiet Ethnic Cleansing”, ka rikthyer në vëmendje fenomenin e “pasivizimit të adresave” si një formë e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Autorët e shkrimit, Ragmi Mustafi dhe Shaip Kamberi, argumentojnë se përmes këtij mekanizmi administrativ, shqiptarëve u cenohen të […]

Vendore

Një artikull i publikuar në platformën ndërkombëtare Peacefare, me titull “A Pattern of Quiet Ethnic Cleansing”, ka rikthyer në vëmendje fenomenin e “pasivizimit të adresave” si një formë e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Autorët e shkrimit, Ragmi Mustafi dhe Shaip Kamberi, argumentojnë se përmes këtij mekanizmi administrativ, shqiptarëve u cenohen të drejtat themelore, përfshirë të drejtën e votës, qasjen në shërbime publike dhe statusin civil.

Peshë të veçantë këtij publikimi i jep fakti se platforma Peacefare është themeluar nga ish-diplomati amerikan Daniel Serwer, një nga njohësit më të zëshëm të çështjeve të Ballkanit në Washington.

Artikulli ka nxitur reagime të rëndësishme, ndër të cilat spikat ai i Kiron Reid, ish-shef i zyrës së OSBE-së në Bujanoc. Në komentin e tij, Reid pranon në mënyrë të tërthortë ekzistencën e diskriminimit strukturor ndaj shqiptarëve në këtë rajon.

Ai thekson se ekzistojnë standarde të dyfishta në politikat e Beogradit, sidomos në trajtimin e komuniteteve, duke lënë të kuptohet se çështjet e ngritura në artikull nuk janë thjesht pretendime politike, por pasqyrojnë realitete konkrete në terren.

Reagimi i tij konsiderohet si një konfirmim i rëndësishëm nga një ish-zyrtar ndërkombëtar me përvojë direkte në terren, duke forcuar pretendimet për një model të vazhdueshëm të përjashtimit administrativ dhe politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ky zhvillim pritet të rrisë presionin ndaj institucioneve ndërkombëtare për një angazhim më konkret në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon.