Irani, përmes agjencisë Fars dhe një deklarate të shefit të diplomacisë Abbas Araghchi, paralajmëroi operatorët e hoteleve në Lindjen e Mesme se objektet ku qëndrojnë ushtarë amerikanë mund të bëhen synime legjitime mbrojtëse nëse një praktikë e tillë vazhdon.
Në paralajmërimin drejtuar hotelierëve dhe objekteve të tjera të mikpritjes në gjithë Lindjen e Mesme, Irani pretendon se hotelet dhe ndërtesat e tjera civile që përdoren nga ushtarët amerikanë për akomodim mund të trajtohen si objektiva legjitime mbrojtëse nëse kjo praktikë nuk ndërpritet. Ky qëndrim u përcoll nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars, e cila i referohet “burimeve të mirëinformuara” pranë Gardës Revolucionare Iraniane.
Sipas këtyre burimeve, lokacionet që përdoren nga personeli amerikan “nuk janë të kufizuara” vetëm në Bahrejn dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pretendohet se kapacitete alternative akomodimi për forcat e huaja tashmë janë identifikuar edhe në pjesë të tjera të rajonit, përfshirë Sirinë, Libanin dhe Xhibutin.
Burimet e cituara nga Fars theksojnë se paralajmërimi i Iranit për operatorët e hoteleve është “gjithëpërfshirës dhe përfundimtar”.
Ata shtojnë se çdo objekt që pranon personel ushtarak të huaj, “pavarësisht vendndodhjes gjeografike”, mund të konsiderohet objektiv legjitim nëse, sipas tyre, veprimtaria e kontestuar nuk ndërpritet menjëherë.
Më herët gjatë së enjtes, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi publikoi një mesazh në platformën X, ku pretendoi se ushtarët amerikanë kanë braktisur bazat ushtarake në shtetet arabe të Gjirit Persik, anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (GCC), dhe se tani po qëndrojnë në hotele dhe zyra.
“Që nga fillimi i këtij konflikti, ushtarët amerikanë janë larguar nga bazat ushtarake në GCC për t’u fshehur në hotele dhe zyra,” shkroi Araghchi, duke shtuar se forcat amerikane po përdorin “qytetarët e GCC-së si mburojë njerëzore”. Ai u bëri thirrje hoteleve në vendet e Gjirit që të refuzojnë rezervimet nga personeli ushtarak amerikan. /Telegrafi/






