Irani nis sulme me raketa në të gjithë Gjirin Persik – cilat vende u shënjestruan?

Bota

Irani nisi një valë sulmesh të mëdha, të njëkohshme me raketa dhe dronë në të gjithë Gjirin Persik, duke synuar Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin, dhe duke marrë përsipër sulme të mëtejshme në Jordani dhe Oman, pas një raundi të ri sulmesh ajrore amerikane në Iran. Shumë zhurma të forta tronditën Dohën […]

Madhësia e shkronjave

Irani nisi një valë sulmesh të mëdha, të njëkohshme me raketa dhe dronë në të gjithë Gjirin Persik, duke synuar Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin, dhe duke marrë përsipër sulme të mëtejshme në Jordani dhe Oman, pas një raundi të ri sulmesh ajrore amerikane në Iran.

Shumë zhurma të forta tronditën Dohën në dy valë sulmesh iraniane, ndërsa mbrojtja ajrore e Katarit interceptoi disa raketa balistike iraniane mbi kryeqytet.

Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi në një deklaratë se “Forcat e Armatosura të Katarit vazhdojnë të ndërpresin një numër sulmesh me raketa balistike që synojnë Shtetin e Katarit”.

Alarmet kombëtare të emergjencës ajrore u aktivizuan në telefona në Katar, ndërsa autoritetet u bënë thirrje banorëve të strehohen brenda, të qëndrojnë larg dritareve dhe paralajmëroi se niveli i kërcënimit të sigurisë së vendit është i lartë.

Në të njëjtën kohë, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po sulmonin raketat dhe dronët iranianë, duke i këshilluar banorët të strehoheshin.

Gjithashtu, Komanda e ushtrisë së Kuvajtit njoftoi se po sulmonte “objektiva ajrore armiqësore”, duke i udhëzuar banorët të strehoheshin.

Bahreini njoftoi gjithashtu se aktivizoi mbrojtjen e tij ajrore në përgjigje të sulmeve të Iranit.

Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) njoftoi në një deklaratë gjatë sulmeve se kishte në shënjestër bazën ajrore amerikane Al-Udeid në Katar dhe pretendoi se shkatërroi një qendër komande dhe kontrolli, si dhe një strukturë mirëmbajtjeje të avionëve.

Megjithatë, Katari njoftoi se kishte kapur raketat që kishin synuar bazën ajrore më të madhe amerikane në rajon.

Irani gjithashtu pretendoi se sulmoi bazën ajrore Prince Hassan në Jordani, duke shkatërruar një numër objektesh, dhe se goditi gjithashtu portin Duqm të Omanit, i cili përdoret nga marina amerikane.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht se çdo sulm i mëtejshëm i SHBA-së do të shkaktojë që Irani të sulmojë objektivat amerikane në territoret e vendeve të Gjirit, njësoj siç bëri në fillim të luftës.

Komanda qendrore e ushtrisë amerikane, CENTCOM, njoftoi të shtunën se kreu një seri sulmesh në Iranin jugor, në përgjigje të një sulmi të ri iranian ndaj një anijeje kontejnerësh me flamur qipriot në Ngushticën e Hormuzit. /Telegrafi/